Mbikëqyrësi i jep notë pozitive ndërtuesit të autostradës
Kompania mbikëqyrëse e ndërtimit të autostradës Morinë-Merdar ka dorëzuar për muajin prill raport pozitiv, me pak vërejtje, në Ministrinë e Infrastrukturës.
Sipas raportit, punët në ndërtimin e “Rrugës së kombit” janë duke shkuar sipas procedurave të parapara. Për më tepër, vërejtjet që dalin nga raporti janë në nivel tejet minimal, shkruan sot “Koha Ditore”.
Vërejtjet e kompanisë mbikëqyrëse “Hill International” për të cilat i ka kërkuar Ministrisë që të këmbëngulë në evitimin urgjent të tyre, kanë të bëjnë me shpimet që janë realizuar në janarin e këtij viti në asfaltin e Sektorit 1 të autostradës.
Sipas vlerësimeve preliminare të kompanisë mbikëqyrëse, në Sektorin 1 janë vërejtur rrëshqitje të tokës përgjatë trasesë. Po ashtu, pas lëshimit në shfrytëzim të katër sektorëve të parë, kompania mbikëqyrëse e ka informuar Ministrinë e Infrastrukturës për dëmtimet e bëra në autostradë.
Këto dëmtime kryesisht lidhen me dimrin e vështirë që ka mbajtur sivjet. Sipas mbikëqyrësit, që ka kontratë në vlerë prej rreth 7 milionë eurove me Qeverinë, për këto defekte do të formohet një listë, dhe më pas të kontrollohet nëse janë përmbushur kriteret e evitimit të defekteve.
“’Hill International’ është duke hartuar një listë me defektet e evidencuara, të cilat nuk janë shfaqur derisa autostrada është hapur për shfrytëzim”, thuhet në raportin e muajit prill të kompanisë mbikëqyrëse. Sipas raportit, klienti, që në këtë rast është Ministria e Infrastrukturës, ka pranuar këto defekte dhe është në pritje të marrjes së hapave të ardhshëm.
Lidhja me rrugën që pritet të nisë së ndërtuari në vitet e ardhshme, ajo që çon nga Prishtina në drejtim të Hanit të Elezit, do t’i kushtojë me mjete financiare shtesë Qeverisë së vendit për ndërtimin. Ende nuk dihet se sa do të jetë kostoja që duhet të paguajë për këtë lidhje, mirëpo, mbikëqyrësi i ndërtimit të autostradës aktuale “Rruga 7”, i ka bërë me dije Ministrisë së Infrastrukturës se këto ndryshime eventuale do të mund t’i kushtojnë më tepër në përfundim të projektit, atëherë kur edhe bëhen pagesat finale të projektit.