MAShT: Komuna s’mund t’i mbyllë shkollat

MAShT: Komuna s’mund t’i mbyllë shkollat

MAShT: Komuna s’mund t’i mbyllë shkollatMinistria e Arsimit, përmes një komunikate për shtyp të lëshuar pasiven e së dielës, ka thënë se mbetet e shqetësuar për zhvillimet e fundit pas vendimit për ndërprerjen e mësimit në disa shkolla të Prishtinës. Prandaj, MAShT siguron opinionin e gjerë e sidomos prindërit se nuk ka arsye për shqetësime dhe kërkon që të gjitha shkollat e Prishtinës të hënën të fillojnë mësimin.

Sipas kësaj Ministrie, Komuna nuk ka të drejtë me ligj që të marrë vendim për të mbyllë shkollat.

“MAShT sqaron Komunën e Prishtinës se me Ligjin për Arsimin në Komunat e Kosovës, Neni 5, paragrafi e, Kompetencat e Komunave në nivelet 0, 1, 2 dhe 3 të Arsimit Publik (Parashkollor, Fillor, të Mesëm të Ulët dhe të Mesëm të Lartë), thuhet se është e drejtë e Komunës mes të tjerash të merret edhe me shëndetin publik të nxënësve, por askund nuk figuron në ligj se komuna mund t’i mbyllë ato. Kjo e drejtë është e rezervuar për nivelin qendror”, thuhet në komunikatë.

Sipas kësaj ministrie, kryetari i Komunës respektivisht Drejtoria Komunale e Arsimit është e obliguar të bashkëpunojë me MAShT dhe organet tjera profesione, që secili ta merr rolin e vet, gjithmonë duke u mbështetur në legjislacionin në fuqi.

“Nëse dyshimet dhe faktet janë të vërteta, atëherë MAShT, si organi qendror, në bashkëpunim me komunën, merr vendim për ndërprerjen e procesit shkollor deri në rezultatin final apo zgjidhjen e problemit”.

Bazuar në legjislacionin në fuqi ndërprerjen e procesit mësimor mund ta bëjë MAShT, në bazë të Ligjit për Arsimin Parauniversitar dhe atë për Inspeksionin e Arsimit në Kosovë. Po ashtu, sipas komunikatës, kjo është e rregulluar edhe me Udhëzimin Administrativ: Ndalimi, ndërprerja e punës dhe inicimi i procedurës disiplinore ndaj mësimdhënësve dhe punëtorëve të tjerë në institucionet edukativo-arsimore, aftësuese dhe shkencore.

Në komunikatë, thuhet se MAShT sqaron edhe njëherë opinionin publik se Departamenti i Inspeksionit, pas inspektimit me ekspertizë që është bërë në disa shkolla, ka konstatuar se përqendrimi i gazrave në ambientet shkollore është sipas standardeve.

“Në terren me inspektorët e MAShT kanë qenë edhe përfaqësues të inspektoratit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prishtinë, Institutit të Mjekësisë së Punës – Shërbimit për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe drejtorët e shkollave përkatëse”.

MAShT është kundër vendimit për mbylljen e shkollave, kur dihet se vendimi për mbylljen e shkollave është bërë pa paralajmërim as të institucionit qendror, por as nuk janë lajmëruar me kohë prindërit, shumica e të cilëve janë në marrëdhënie pune, thuhet në komunkiatë, sipas të të cilës kjo ministri mbështet me të gjitha kapacitetet e veta çdo nismë të kujtdoqoftë, pra edhe të Komunës së Prishtinës, që ka të bëjë me sigurimin e shëndetit të nxënësve.

“Por, duke parë se në raportin e përpiluar nga atuoritetet kompetente (MTI) nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, MAShT vlerëson se vendimi i Komunës së Prishtinës për ndërprerjen e mësimit është i motivuar politikisht. Me këtë rast, MAShT kërkon nga Komuna e Prishtinës që të mos bëjë lojë politike me prindërit, fëmijët e mësuesit, sepse kjo është e pandershme dhe nuk i shërben të mirës së askujt, e aq më pak arsimit, ku përgjegjësia është e të gjithëve”.