Dick-Marty4

Marty me ekip

EULEX-i thotë se rekrutimi i stafit të Task Forcës që do të hetojë pohimet për tregtinë me organe në Kosovë është duke u finalizuar. Ky mision i Bashkimit Evropian për herë të parë ka përmendur edhe “Ekipin e Martyt”, me të cilin thotë se është duke bashkëpunuar për të mundësuar procesin e hetimeve.

Zyrtarë të EULEX-it kanë deklaruar se presin që hetimet për këtë çështje të fillojnë shpejt, pa precizuar ndonjë afat, shkruan gazeta Express.

“Rekrutimi është duke u finalizuar. Presim që Task Forca të fillojë punën shumë shpejt”, ka thënë zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi.

Raporti i Martyt, i cili është miratuar në Këshillin e Evropës, implikon udhëheqës të lartë të UÇK-së në të ashtuquajturën tregti të organeve në Kosovë, e ku përfshihet edhe Kryeministri aktual, Hashim Thaçi.

Në EULEX, kohë më parë kanë bërë të ditur se Task Forca do të udhëhiqet nga një prokuror dhe do të përbëhet nga hetues dhe zyrtarë ligjorë.

Ky mision kishte njoftuar se ky mekanizëm do të bëhej pjesërisht funksional deri në fund të korrikut.

Zëdhënësi Krasniqi ka deklaruar se tashmë janë vendosur kontakte edhe me senatorin zviceran Dick Marty. E në bazë të deklaratave të zyrtarëve të misionit, zvicerani nuk është më vetëm. EULEX ka thënë se është duke bashkëpunuar me atë që e ka quajtur “ekip” të Martyt, pa dhënë më shumë detaje.