Marko Dajti: Negociata me Ramën për hashashin dhe bustin e Enverit

Marko Dajti: Negociata me Ramën për hashashin dhe bustin e Enverit

Marko Dajti: Negociata me Ramën për hashashin dhe bustin e EnveritKryetari i Partisë së Punës së Riorganizuar, Marko Dajti, në një intervistë për “Panorama” sqaron një nga pikat e programit të kësaj partie, atë të licencimit të kultivimit për qëllime mjekësore dhe industriale të Cannabis sativa.

Sipas tij, ajo është një bimë me efekte të mëdha mjekësore, me të ardhura të mëdha për ekonominë shqiptare, por sheh vështirësi në negocimin me aleatët e tij në pranimin e këtij propozimi.

Dajti e cilëson të panegociueshëm rivlerësimin nga koalicioni opozitar i figurës së Enver Hoxhës, ndërsa e konsideron të dobishëm koalicionin PS-LSI edhe pse nga ana morale lë për të dëshiruar.

Një nga pikat e programit tuaj, i botuar dje në gazetën “Panorama”, ka ngjallur një lloj çudie në publik, ajo që ka lidhje me licencimin e kultivimit dhe shitjes për qëllime mjekësore dhe industriale të Cannabis sativa. Nuk bie kjo në kundërshtim me parimet e partisë suaj?

Parimet e partisë sonë udhëhiqen nga interesat më të larta të qytetarëve dhe të vendit. Ato nuk janë as dogma dhe as tabu. Në rastin konkret ne gjykojmë se është e dobishme të ndjekim rrugën që na tregojnë vendet e qytetëruara, të cilat kanë një praktikë të mirë në drejtim të licencimit të kultivimit dhe tregtimit të kanabisit për qëllime mjekësore. Përmendim këtu SHBA, Holandë, Zvicër, Suedi, Izrael etj.

Shoqëria shqiptare po harxhon shumë forca dhe energji në drejtim të luftës kundër kultivimit dhe tregtimit të kanabisit, ndërsa kjo bimë si edhe kërpi industrial mund të konsiderohen si një burim i fuqishëm ekonomik për vendin. Nga ana tjetër, vetë dështimi i qeverisë në këtë luftë na tregon se duhet ndryshuar strategjia. Ishte pikërisht dështimi në shkallë globale i luftës kundër kanabisit që i detyroi vendet e zhvilluara që përmenda më sipër që të gjejnë një rrugë tjetër: atë të licencimit, pra kultivimit dhe tregtimit të kontrolluar të kësaj bime.

Partia juaj, në një kontekst tjetër historik, mund ta konsideronte si degjenerim të rinisë përdorimin e kanabisit…
Licencimi i kultivimit dhe tregtimit të kanabisit për qëllime mjekësore nuk ka të bëjë me përdorimin e lirë të kësaj bime. Ne nuk jemi për të hapur dyqane për shitjen e kanabisit, por për përdorim mjekësor, siç përdoret morfina, petidina etj.

Edhe këto janë droga, por përdorimi i tyre për qëllime mjekësore është i legalizuar. Ndërkohë kërkojmë forcimin e ligjit për drogat e mirëfillta, ato që shkaktojnë varësinë e përdoruesit dhe shndërrohen në plagë sociale. Të mos ngatërrojmë edhe aspektin ekonomik me atë social. E njëjta gjë mund të thuhet për duhanin. Ndërkohë që ne kërkojmë forcimin e luftës kundër duhanit, pasi ligjet e deritanishme kanë rezultuar joefikase, ne njëkohësisht kërkojmë ngritjen e tri fabrikave shtetërore për përpunimin e tij. Duket si kontradiksion, por nuk është ashtu.

Ngritja e fabrikave do të punësojë qindra njerëz dhe do të shmangë futjen në treg të produkteve abuzive me droga sintetike brenda që forcojnë sensin e varësisë nga duhani. Pra do të hedhim në treg një produkt më të sigurt, ndonëse edhe ky i dëmshëm, dhe njëkohësisht do të forcojmë luftën kundër duhanpirjes. Këto janë politika që mund të bëhen vetëm në rrugë shtetërore.

Në fakt, ka një paragjykim me sa duket apo tabu rreth kësaj çështjeje, në një kohë që paketat ligjore merren ashtu siç janë hartuar në vendet perëndimore dhe kërkohen të implementohen në një ambient krejt tjetër si nga ana kulturore, ashtu dhe niveli i demokracisë. Ju shihni vështirësi në implementimin e përvojës ligjore në vende të tilla si SHBA, Holanda apo Zvicra?

Vështirësi ka, pa dyshim. Kundërshtimet do të jenë më të mëdha jashtë Shqipërisë, sesa brenda. Vendet e huaja janë mësuar ta shohin vitet e fundit Shqipërinë si një kopsht zoologjik, ku politikanë të huaj vijnë dhe japin direktiva. Ndërsa qeveritarët tanë i pranojnë edhe kur janë të dëmshme për shqiptarët. Edhe në këtë rast, shqetësimi më i madh do të jetë nga vendet perëndimore që janë mësuar që këtë “mall” e marrin kontrabandë, me ndihmën e “miqve” shqiptarë në politikë. Natyrisht edhe kontrabandistët me mbështetje politike do të bëjnë lobingun e tyre për mosmiratimin e këtij ligji. Ndërsa për fermerët shqiptarë, pse jo edhe për shtetin, mund të rezultojë një biznes i leverdishëm. P.sh., vendi i fundit që miratoi ligjin për legalizimin e kanabisit nuk ka përse ta blejë nga Holanda apo Izraeli, siç parashikon, por mund të furnizohet nga Shqipëria.

Do të negocioni me zotin Rama si kryesues i koalicionit opozitar që kjo pikë e programit të mbetet në programin e opozitës së bashkuar?

Zoti Rama deri tani nuk na ka ofruar as minimumin që kemi kërkuar, anëtarë të grupeve të numërimit në tri qarqet ku pretendojmë të nxjerrim deputetë, Tiranë, Berat dhe Korçë. Njëkohësisht nuk na ka mbështetur në kërkesën tonë të panegociueshme për rivlerësimin e rolit të heroit tonë kombëtar, Enver Hoxha, në çlirimin e vendit dhe ndërtimin e Shqipërisë moderne. Një kërkesë e tillë nuk besoj se do të gjejë miratimin e Partisë Socialiste, pasi është tepër e parakohshme për një parti që mundohet të bëjë një politikë pragmatiste për të ardhur në pushtet. Një marrëveshje e tillë do të ishte një hap shumë i madh, ndërkohë që Rama ngurron të bëjë edhe hapa të vegjël./panorama/