Maqedonia përballë zgjedhjeve të parakohshme

Maqedonia përballë zgjedhjeve të parakohshme

Maqedonia përballë zgjedhjeve të parakohshmeNë Maqedoni janë të mundshme që të organizohen edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare, për shkak të kërkesës këmbëngulëse të opozitës.

Burime të afërta me partinë maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE theksojnë për INA se edhe ata do të pranojnë ofertën për zgjedhje të parakohshme, në rast se opozita maqedonase do të ballafaqohet me to. 

“Kryeministri Gruevski është i gatshëm edhe për një opsion të tillë, në rast se kjo bëhet alternativë e pashmangshme për të zhbllokuar krizën politike. Ai ka interes më të madh për tu ballafaquar me opozitën dhe liderin e saj aktual Branko Cërvenkovski, të cilin do që të shmang njëherë e përgjithmonë nga skena politike. Por kjo do të varet nga kompromisi që do të dal nga takimi i liderëve”, theksoi për INA, një zyrtar i VMRO-DPMNE.

Partitë e koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE dhe BDI deri tani publikisht janë shprehur kundër zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke i bërë ftesë opozitës maqedonase që të hyjë në garën e zgjedhjeve lokale të 24 marsit.

Opozita maqedonase e udhëhequr nga Lidhja Social Demokrate (LSDM) ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në pako me ato lokale (tashmë të caktuara për 24 mars), për të zhbllokuar krizën politike dhe për të rikthyer demokracinë dhe funksionalitetin e institucioneve.

Partia opozitare shqiptare PDSH gjithashtu është shprehur kundër zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ndërsa RDK ka shprehur gatishmëri për tu përballur për çdo garë zgjedhore.

Diplomatë perëndimor nuk përjashtojnë zgjedhje të parakohshme, me qëllim që të arrihet një stabilitet politik dhe të nxitet dialogu ndërmjet spektrit politik. (INA)