Manuel Pelegrinin : Sulmin tim e ka zili kushdo në Angli

Manuel Pelegrinin : Sulmin tim e ka zili kushdo në Angli

Manuel Pelegrinin : Sulmin tim e ka zili kushdo në AngliPelegrinin nuk e trembin provokimet e Murinjos se i gjithë presioni do të jetë mbi Sitin e tij këtë sezon. Të kaltrit janë skuadra që kanë shpenzuar më shumë këtë sezon, duke iu afruar shumës së 100 milionë eurove, ndërsa vetëm për sulmin kanë paguar mbi 60 milionë euro.

Alvaro Negredo, Stevan Jovetiç, Serxho Aguero dhe Edin Xheko janë forca ofensive që do përpiqet t’i zbresë nga froni rivalët e Junajtid. Pelegrini, i cili aktivizoi Xhekon dhe Negredon në ndeshjen kundër Kinës së Jugut dy ditë më parë, thekson se katërshen e sulmit të “qytetarëve” e kanë zili të gjitha skuadrat e Premier Ligës.

“Kemi një sulm shumë të fortë. E njoh shumë mirë Negredon, për shkak të Ligës spanjolle, dhe nuk është surprizë për mua mënyra se si ai luajti. Është një supersulmues, ashtu si edhe Xheko. Ata mund të luajnë të dy së bashku pa problem, por mund të aktivizohet edhe njëri prej tyre i shoqëruar nga Jovetiç ose Aguero. Kemi katër sulmues shumë të fortë, çka është ajo që na duhej për të qenë kompetitivë në Premier Ligë, Champions dhe kompeticionet e tjera”, – tha tekniku kilian. Ai shtoi se është shumë i kënaqur nga skuadra që ka në dispozicion dhe se po punon për të njohur më mirë kontingjentin. Për Pelegrinin është shumë e rëndësishme që skuadra ta nisë mirë Premier Ligën që në ndeshjen e parë. “Ne nuk po ndërtojmë thjesht një skuadër.

Dua ta njoh gjithë ekipin dhe më pas të shohim kush do mund të luajë. Skuadra duhet të luajë sipas filozofisë së trajnerit. Duhet të jemi gati që në ndeshjen e parë kundër Njukasëllit. Jam i sigurt që deri më 17 gusht do kemi mbërritur atje ku duam”. Jovetiç dhe Hezus Navas ishin në stol, pasi iu bashkuan ekipit vetëm ditën e hënë: “Në ditët e ardhshme do të kemi mundësi të shohim edhe Silvën, Agueron dhe Jovetiçin.

4 lojtarë të rëndësishëm unë nuk i aktivizova dot, por të shtunën besoj se do të luajnë. Presioni? Te një klubi i madh si Siti ka gjithnjë presion, por e rëndësishme është që ne ta përballojmë dhe punojmë edhe me të. Lojtarët luajnë më mirë me presion, nuk kanë frikë prej tij”.