Ylli-Manjani-LSI-NOA

Manjani: Jemi për zgjidhje afatgjate të imunitetit të zyrtarëve

Sekretari për Çështje Zgjedhore në Lëvizjen Socialiste për Integrim, Ylli Manjani ka thënë se LSI është për zgjidhje afatgjate të imunitetit të zyrtarëve dhe sipas tij është koha që seriozisht dhe në mënyrë përfundimtare të zgjidhet kjo çështje.

Ai ka njoftuar se LSI nëpërmjet grupit të kuvendor do t’i bashkohet ftesës publike për të futur në kalendarin e punimeve të parlamentit të këtij sesioni për të zgjidhur këtë çështje përfundimisht.

Sipas tij, zgjidhja e çështjes së imunitetit duhet bërë mbi dy parime themelore, zero imunitet për çdo të zgjedhur apo të emëruar politik si dhe gjykatësit e republikës duhet të gëzojnë imunitet të kufizuar, aq sa për tu mbrojtjet nga shantazhi politik, por jo për t’iu fshehur shkeljes së ligjit.

“Askush që kryen detyrë përfaqësuese në politikë nuk ka pse të ketë më mbrojtje nga ndjekja penale madje edhe nga arrestimi. Kjo do të thotë se prokuroria duhet të jetë e lirë të hetojë e të arrestojë cilindo politikan për të cilin ekzistojnë të njëjtat arsye ligjore si për çdo qytetar të thjeshtë”, tha ndër të tjera Manjani.