lehmann3

Man City luan futboll monoton

Ish portieri i Arsenalit dhe i Gjermanisë, Jens Lehmann ka thënë se Liga e Kampionëve është më e mirë pa Manchester Cityn.

Skuadra nga Eastlands u eliminua nga gara, pavarësisht fitores 2-0 ndaj Bayern Munichut të mërkurën mbrëma. Lehmann, i cili punon si analist në televizionin gjerman Sky, nuk e fshehu gëzimin e tij për kalimin e Cityt në Europa League, derisa Napoli iu bashkua Bayernit në rrethin e dytë të garës nga Grupi A.

“Manchester City luan futboll shumë, shumë monoton. Ata i vënë në gjumë kundërshtarët e tyre me posedim të madh të topit. Por, të jem i sinqertë, ky nuk është aspekt aq i kërkuar taktik. Mënyra si luajnë është e ngjashme me cilëndo skuadër amatore, vetëm se jo në bari aq të mirë. Ata parkojnë njerëz prapa topit, kanë pesë kundër dy dhe e lëvizin topin përpara. Pastaj goli vjen nga rrethana fatlume”, tha ai.

Lehmann, i cili luajti në finale të Ligës së Kampionëve për Arsenalin kundër Barcelonës, edhe pse për vetëm 18 minuta para se të përjashtohej, ishte i pakënaqur nga atmosfera në Etihad Stadium.

“Nuk kishte jetë në stadium. Tifozët janë shumë të heshtur, por nuk kanë faj sepse nuk ka asgjë joshëse këtu. Ne nuk duam të shohim Cityn në Ligën e Kampionëve”, përfundoi ai.