17majlinda_1708111411_1

Majlinda Kelmendi vazhdon ëndrrën për Lojërat Olimpike 2012

Kur një sportist ia përkushton jetën një sporti, ëndërron që ta përfaqësojë vendin e vet në Olimpiadë. Për Majlindën, kjo mund të mbetet mu aq – një ëndërr. 

Ajri është përplot lagështi dhe pritet shiu, ndërkohë që retë e zeza kalojnë mbi malet e Rugovës, afër Pejës, përderisa po i afrohemi një ushtrimoreje të IPPON xhudos, të vendosur mes dy majeve.

Një skenë piktoreske, që megjithatë nuk mund ta mbulojë realitetin e luftës e vetëm 12 vjet më parë. Në muret e shtëpive gjatë rrugës ende mund të shihen zgavrat që mbetën nga rrëmuja që shkaktoi ushtria serbe në qytet.

Në ajër sot depërtojnë edhe ca zëra nga larg. Zërat arrijnë nga kampi veror i xhudos për sportistët kulmorë të IPPON-it.

Me hapat të pazhurmshëm, duke manovruar mbi një sipërfaqe jo të drejtë, brenda ushtron Majlinda Kelmendi. E gjatë vetëm rreth 1.50 metra, Majlinda ka një fizik të fuqishëm porsi malet nëpër të cilat vrapon gjatë ushtrimeve. Kur flet, këtë e bën me një besim dhe qetësi të paparë. Mënyra si e mban veten, s’le dyshim tek kjo luftëtare 20 vjeçare. Përgjigjet e saj janë të kalkuluara dhe precize, mu si kur e mat kundërshtarin në ring para lëvizjes së ardhshme.

Kelmendi është një ndër xhudistet më të mira në botë, sipas Memli Krasniqit, ministër i Rinisë, Kulturës dhe Sportit. Në renditjen olimpike, ajo e mban vendin e tretë.

Me një shprehje modestie kur përmenden të arriturat e saj, Kelmendi i tërheq gishtërinjtë nëpër flokë dhe thotë: “Ka shumë vajza të mira që ushtrojnë (xhudo). Unë vetëm sa isha paksa më me fat. Nganjëherë, ke vetëm pak më shumë fat”.

Motra më e madhe e Kelmendit kishte ushtruar xhudo dhe Majlinda, atëbotë 9 vjeçare, gjithmonë i kishte lutur prindërit që ta lënë edhe atë të ushtrojë. Pas shumë muajve, këmbëngulësia e saj u shpagua. Ajo filloi të mësojë këtë formë japoneze të arteve luftarake në vendlindjen e saj, në Pejë, më 2000.

Një muaj pasi kishte nisur ushtrimet, mori për të parën herë pjesë në gara. Ngazëllimi për fitimin e medaljes për vendin e tretë, edhe më shumë e sforcoi pasionin për xhudo.

“E dua (xhudon) përtej mase. E di se çfarë dua në jetë, dhe kjo është arsyeja pse nuk them kurrë se do të ndalem”, shpjegon ajo.

Kelmendi lëviz nëpër sallë gjatë demonstrimit të disa nga teknikat bazë të xhudos. Ajri është përplot erë plastike të re dhe djersë. Ngjyra e vjetruar e kaltër është në kontrast të madh me shtrojat e reja që mbulojnë parketin.

Edhe pse këmbëngul se nuk po e përdor tërë forcën e saj, muret jehojnë fuqishëm kur trupi i saj ndeshet me parketin. Lëvizjet e trupit janë të force befasuese, të zakontë për ata që ushtrojnë xhudo.

Përderisa ushtron, nganjëherë buzëqesh, po sikur të kishte ndonjë sekret – mes saj dhe shpirtit të artit të saj luftarak.

“Në vendet si Amerika, ka aq shumë mundësi të bësh diçka, të jesh dikush. Në Kosovë nuk është kështu. Dua që në jetë të jem dikush, e kjo më duket mënyra më e mirë,” thotë ajo.

Gjatë Kampionatit Botëror të Juniorëve më 2010 në Paris, ajo e fitoi medaljen e artë në peshën e saj. Kelmendi është e para sportiste nga Kosova e kurorëzuar me medalje.

“Është një gjë e veçantë të jesh sportisti i parë. Është një gjë e veçantë për mua të jem kosovare”, pëshpëritë Kelmendi.

“Prindërit e mi gjithmonë më thonë se mund ta bëj. Ata s’kanë asgjë më shumë se ti, ata ushtrojnë shumë, edhe ti ushtron shumë. Është njëjtë.”

Ajo shpjegon se prindërit e saj, sado që e mbështesin, kurrë nuk i bëjnë presion kur bëhet fjalë për ushtrime dhe gara.

Rruga drejt Lojërave Olimpike 2012 në Londër nuk është e lehtë. Kosova ende përpëlitet me njohje ndërkombëtare. Mbi një dhjetëvjetësh që nga përfundimi i luftës, Kombet e Bashkuara ende nuk e kanë njohur këtë shtet të ri.

Kur një sportist si Kelmendi ia përkushton jetën një sporti, ëndërron që ta përfaqësojë vendin e vet në Olimpiadë.

Për Majlindën, kjo mund të mbetet mu aq – një ëndërr.

Kosova ka tri sporte që i njihen në tërësi në arenën ndërkombëtare – ping-pong, hendboll dhe shigjetari.

Federata e Xhudos e Kosovës njihet në organizatën e saj ndërkombëtare, por ka kufizime. Kelmendit i lejohet himni kombëtar i Kosovës nëse fiton medalje, mirëpo gjatë garës nuk mund të valëvitet flamuri i Kosovës.

“Shtete të ndryshme i janë ofruar Majlindës që të garojë për to,” thotë Krasniqi.

Para se gjithash, Sllovenia dhe Azerbajxhani.

Seleksionuesi i Sllovenisë foli me Driton Kukën, trajnerin e Majlindës, dhe e pyeti se sa do të duhej të paguante që Kelmendi ta përfaqësonte ekipin slloven. Kuka refuzoi.

Federata e Xhudos e Azerbajxhanit u kishte ofruar 5.000 euro në muaj Majlindës dhe Kukës që ajo të garojë për përfaqësuesen e saj.

“Azerbajxhani, në fakt, i ofroi një kontratë atraktive, paga të konsiderueshme mujor për të, për trajnerin dhe mbulimin e të gjitha shpenzimeve, shtetësinë e Azerbajxhanit – të gjithat,” shpjegon Krasniqi.

“Kujtoja se qeverisë nuk i bën aq për mua meqë nuk kishin para”, thotë Kelmendi.

Kuka dhe Kelmendi thanë se do të qëndronin në Kosovë nëse u paguhen së paku 20 për qind të shumës që u ofroi Azerbajxhani.

“Në po punojmë bashkërisht me sektorin privat së të sigurojmë financimin e të japim diç, jo si Azerbajxhani, por diç që asaj do t’i mjaftonte”, thotë Krasniqi.

Sipas Kukës, janë tri opsione për të ardhmen e Kelmendit nëse dëshiron të marrë pjesë në Londër 2012.

Opsioni i parë, i cili aktualisht duket i parealizueshëm, sipas Kukës, është që Kelmendit t’i lejohet të marrë pjesë nën flamurin e Kosovës. Opsioni i dytë është që të garojë nën flamurin Komitetit Ndërkombëtar Olimpik. Kjo do të mund të ndodhte dhe ajo do ta kishte një shans të mirë për medalje.

“Nëse shkon si sportiste e pavarur dhe arrin diçka, njerëzit do të pyeten se kush është kjo vashë dhe prej nga vjen,” thotë Kuka. “Do të kërkojnë në Google emrin e saj dhe do të shohin se është nga Kosova.”

Alternativa e fundit për Kelmendin do të ishte të garojë nën flamurin e Shqipërisë, por për këtë do të duhej të merrte shtetësinë e dyfishtë – kosovare dhe shqiptare.

“Do të ishte mëkat nëse, për shkak të politikës, dikush si ajo të mos garojë në Olimpiadë. Ajo ka aq shumë për të treguar, të ofrojë e madje edhe mund të fitojë medalje, dhe jam mjaft i sigurt se nëse i ofrohet shansi mund të provojë ta marrë një medalje olimpike”, thotë Krasniqi.

Shikimi i Majlinda Kelmendit është këmbëngulës. Nga fundi i bisedës, intensiteti i zërit i ndryshon, dhe tani tingëllon si një stuhi verore – agresive por e qetë.

“Kur ushtron shumë, ndodh të qash përditë për shkak të dhembjes së trupit, por s’ka dert. Dëshiron të arrish në Lojërat Olimpike, pa marrë parasysh të gjithat.”