mjalindca

Majlinda Kelmendi dhe Kuka, përkrahen financiarisht nga shteti

mjalindcaMajlinda Kelmendi do ta ketë përkrahjen e plotë nga shteti, për Olimpiadën e vitit 2016 në Rio të Brazilit.

Xhudistja nga Kosova, së bashku me trajnerin e saj Driton Kuka, të martën, kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Ministrinë për Kulturë Rini e Sport, Komitetin Olimpik të Kosovës dhe Federatën e Xhudos, për përkrahje financiare. Nga ky memorandum do të përfitojnë sportistja më e madhe kosovare dhe trajneri i saj, pasi që Ministria do t’i mbështesë ata financiarisht për ciklin Olimpik 2013 – 2016.

Aktualisht xhudistja e parë në ranglistën botërore me gjithë ofertat tunduese nga shtetet e tjera, nuk do të ketë më arsye për t’u brengosur për financat lidhur me përgatitjet për Olimpiadën. Trajneri Driton Kuka u shpreh i lumtur për mbështetjen katërvjeçare që do ta ketë ai dhe Majlinda në ciklin olimpik.

Nënshkrimin e këtij memorandumi e kanë përshëndetur edhe kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, i cili beson se kjo do të jetë shtytje për të gjithë sportistët që të arrijnë suksese dhe të punojnë më shumë. Ndërsa kryetari i Federatës së Xhudos, Agron Kuka ka thënë se ky është një hap i madh për sportin kosovar, e veçanërisht për xhudon.