Lumi Sitnica vërshon shumë shtëpi në Mitrovicë

Lumi Sitnica vërshon shumë shtëpi në Mitrovicë

Lumi Sitnica vërshon shumë shtëpi në MitrovicëLumi Sitnica ka dalë jashtë shtratit të saj edhe në qytetin e Mitrovicës, duke vërshuar qindra hektarë tokë të punueshme dhe disa shtëpi buzë brigjeve të saj.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Musa Dragaj, tha se uji që ka dalë jashtë lumit Sitnica ka depërtuar në pesë shtëpi afër tregut të bagëtive, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në orendi shtëpiake, serra, ushqim për kafshë etj.
Sipas tij, Drejtoria ka marrë masa që në rast nevoje të evakuojë banorët, por edhe bagëtinë nga aty.

Ai ka bërë të ditur po ashtu se në lagjen “2 Korriku”, Sitnica ka vërshuar 11 shtëpi, me ç’rast ka shkaktuar dëme, dhe 6 nga këto shtëpi me 28 anëtarë janë të bllokuara tërësisht nga uji, por nuk kanë dashur të evakuohen.

“Banorët kanë kërkuar ushqim, i cili do tu dërgohet gjatë ditës, ndërsa karshi kësaj lagje, afër parkut të bizneseve, janë vërshuar edhe dy shtëpi tjera. Sitnica ka vërshuar edhe 13 shtëpi afër kësaj lagje, si dhe janë vërshuar edhe salla, serra dhe objekte përcjellëse të shtëpive, ku dëmet janë të mëdha”, ka thënë Dragaj, duke shtuar se Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim është në gjendje gatishmërie që të ndihmoj këto shtëpi për t’i ikur rrezikut.

Sa i përket situatës në rajonin e Shalës së Bajgorës, Dragaj shtoi se atje nuk ka reshje shiu, por ka pasur reshje të mëdha të borës gjatë tri ditëve të fundit, me ç’rast janë bllokuar rrugët e disa fshatrave, në të cilat janë mobilizuar operatorët, falë të të cilëve, aktualisht në tërë rajonin e Shalës së Bajgorës rrugët janë të qarkullueshme, raporton KP.

Ai ka kërkuar mbështetje nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, nga Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për të intervenuar në evitimin e pasojave të vërshimit, pasi që komuna nuk ka mjete të mjaftueshme për situata të tilla.

Ndryshe, përveç Sitnicës, nga shtrati i vet në qytetin e Mitrovicës kanë dalë edhe lumenjtë Lushta dhe Trepça, por që nuk kanë shkaktuar dëme të mëdha sikur Sitnica.