Lulzim Basha, propozim të ri për të qëndruar dy mandate në krye të PD-së

Lulzim Basha, propozim të ri për të qëndruar dy mandate në krye të PD-së

Lulzim Basha, propozim të ri për të qëndruar dy mandate në krye të PD-sëNë objektin e ri në “Shqup”, situata në prag të Kuvendit Kombëtar është bërë shumë dinamike. Kryetari i PD-së Lulzim Basha dy ditët e fundit, me përkrahjen edhe të Sali Berishës, ka hedhur në qarkullim propozimin për pikën e statuti që flet për mandatin e kryetarit.

Ky propozim mendohet të rivalizojë, variantin e pranueshëm në parim nga shumica, i cili thotë që kryetari i partisë në rast të humbjes të dorëhiqet.

PD duke ditur se rreziku për humbje është i madh, Basha- Berisha kanë hedhur në “treg” variantin që kryetari të qëndrojë në krye të PDsë dy mandate pavarësisht procesit të zgjedhjeve. Pra edhe në rastin kur humb zgjedhjet Basha do të vijojë të jetë kryetar i PD-së. Për të vënë në jetë propozimin e dytë, Basha ka mbledh të besuarit dhe po bën gati paketën që pritet të konkurrojë propozimin e parë, i cili është përlyer në masë unanimisht nga të gjithë spektri opozitar.

Propozim që mban Bashën për 8 vjet në krye të PD-së

Çështja me mjaft interes që pritet të diskutohet dhe të sjellë debate është ajo e mandatit të kryetarit të partisë, çështje kjo që pritet të hapë polemika në kampin e djathtë. Propozimi që pritet të hasë “kundërshtimin” e kryetarit Lulzim Basha është ai që kryetari duhet të japë dorëheqjen në rast humbjeje të zgjedhjeve. Pra për rastet kur kryetari humb zgjedhjet e përgjithshme apo merr një rezultat më të dobët se zgjedhjet paraardhëse, ai duhet të marrë të gjitha përgjegjësitë morale dhe politike dhe të japë dorëheqjen. Propozim që është mirëpritur dhe që me shumë gjasa do të zgjidhet me anunimitet është ai që kryetarit edhe në rast se humbet zgjedhjet t’i lejohet kandidimi edhe për një mandat tjetër, duke lejuar që lideri politik të ketë 2 mandate. Për këtë të fundit Basha me ndihmën e Berishës ka vënë në lëvizje të gjithë strukturën që të bëjë të mundur votimin e këtij propozimi. Numri i sekretariateve pritet të shtohet në tematikë dhe të pasurohen në njerëz. Pavarësisht propozimeve, do të jetë grupi i punës i ngritur pranë Partisë Demokratike ai që do të japë versionin final të ndryshimeve në statut, i cili më pas do të kërkojë edhe votën e delegatëve të partisë. Në nenin 61 të statutit aktual thuhet se ky statut mund të rishikohet nga kuvendi i partisë me shumicë absolute të anëtarëve të tij, sipas propozimeve të kryesisë së partisë, të një të katërtës së Këshillit Kombëtar dhe pas mendimit të dhënë nga komisioni i përhershëm i statutit. Numri i pjesëmarrësve në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike do të jetë rreth 7500 delegatë, nga 1200 që ka qenë të pranishëm në kuvendet e mëparshme. Ndryshimet Partia Demokratike pritet të bëjë ndryshime themelore në statutin e saj. Ndryshimet me shumë mundësi do të miratohen nga Kuvendi i ri i PD-së, i cili do të mbahet në datat 27-28 shtator. Demokratët pritet të bëjnë ndërhyrje të mëdha në statusin e tyre për ta përshtatur atë me realitetin aktual. Burime nga selia PD-ja bëjnë me dije se ndryshimet në dokumentin themeltar të PD-së, të cilat do të udhëhiqen nga vetë kryetari i saj Lulzim Basha, do të përshtaten me ato të Partive Popullore Evropiane. Një nga ndryshimet më të rëndësishme pritet të jetë ai i parimit “një anëtar, një votë”, parim që u përdor gjatë zgjedhjeve për kreun e ri të PD-së, zgjedhje që nxorën fitues kreun aktual Lulzim Basha. Ky parim do të shërbejë edhe për zgjedhjen e forumeve më të larta drejtuese të partisë. Propozimi tjetër i demokratëve është ai për shkrirjen e kryesisë së Partisë Demokratike, pasi ajo në një farë mënyre i merrte kompetencat Këshillit Kombëtar. Demokratët kërkojnë që të ndjekin shembujt e partive demokratike në Evropë pasi në partitë moderne evropiane nuk ka të tilla kryesi, ka një kryetar, një sekretariat dhe një Këshill Kombëtar.

Strukturat e reja të Partisë Demokratike

Partia Demokratike do të ketë 38 degë të mëdha në rrethe si edhe 15 degë në Tiranë duke përfshirë Kamzën, Paskuqanin, Farkën dhe Kasharin. Sipas këtyre ndryshimeve është parashikuar që këto degë të PD-së të përbëhen nga kryetari, nënkryetari, kryesia dhe departamenti që do të ngrihet. Sipas këtij ndryshimi, pritet që sekretarët e degëve të hiqen duke u zëvendësuar me departamentet. Veç kësaj, ndryshimi tjetër ka të bëjë edhe me numrin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD-së si edhe me procesin e votimit. Këta anëtarë do të dalin nga formula një anëtar një votë si edhe Këshilli do të përbëhet nga 40 anëtarë më shumë se sa është e parashikuar në statut. Ndryshim tjetër i propozuar është edhe shkrirja e Kryesisë së Partisë Demokratike. Kryesia qendrore e cila deri para një viti ka qenë edhe organi më i lartë në PD pritet që të mos ekzistojë më. Duke u zëvendësuar nga departamentet qendrore. Këto ndryshime janë diskutuar më parë në konsultën e Berishës pasi Basha dhe ish-kryetari i demokratëve kanë diskutuar edhe më parë mbi statutin e ri të Partisë Demokratike. Ajo që bëhet me dije nga burimet është fakti se propozimet e ardhura janë përpiluar dhe po bëhet përfundimi i statutit të ri të PD-së i cili do të kalojë për votim nga Këshilli Kombëtar i demokratëve në fund të muajit shtator.

Propozimi i ri, i ndryshëm nga varianti i përjetshëm i Berishës

Partia Demokratike nuk do të mund ta përsërisë më historinë e Sali Berishës, pothuajse përjetësisht në krye të saj. Lulzim Basha, që pasoi liderin historik në krye të PDsë, pritet që të jetë vetëm dy mandate me nga 4 vjet. Kjo, me shumë mundësi, do të sanksionohet që në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit Kombëtar, ku ndryshimi në nenin 38 të statutit, që parashikon të kufizojë mandatin, por dhe të ndryshojë mënyrën e zgjedhjes së Kryetarit nëpërmjet parimit “një anëtar, një votë”, do të hidhet për votim. Mësohet se Kryetari Lulzim Basha ka ngritur një grup pune, që po merret me ndryshimet statutore, por dhe për të shqyrtuar të gjitha propozimet e mundshme nga eksponentët e partisë. Do të jenë rreth 7500 delegatë, nga 1200 që kanë qenë të pranishëm në Kuvendet e mëparshme, të cilët, paraditen e datës 27 shtator dhe 28 shtator, do t’i drejtohen Pallatit të Kongreseve, ku do të diskutojnë dhe votojnë për t’i dhënë formën e re, formacioni më të madh politik opozitar. Ky numër është shtuar ndjeshëm, për shkakun se për herë të parë është në udhëzimin e kryetarit Basha u parashikua që në Kuvendin Kombëtar të marrin pjesë edhe kryetarët e grup seksioneve, të cilët u zgjodhën gjatë procesit të zgjedhjeve në bazë. Në ditën e parë të mbajtjes së Kuvendit Kombëtar pritet që të miratohen ndryshimet në statutin e partisë, ndërsa ditën e dytë do të zgjidhet Këshilli Kombëtar, i cili më pas pritet të zgjedhë strukturat e reja të partisë. Kryetari i parë i Partisë Demokratike, ndonëse vetëm për pak kohë, ishte Azem Hajdari, i cili i hapi rrugën Sali Berishës, ku për 23 vjet e dominoi të djathtën, duke ushtruar zyrtarisht detyrën e Kryetarit, përveç viteve kur ishte President i Republikës së Shqipërisë.

Papa: Mbështes statutin e ri

Vetëm një ditë pasi doli në “dritë” udhëzuesi më i ri i PDsë që do të votohet në datat 27-28 shtator, nisën edhe reagimet brenda selisë blu. Deputeti demokrat Gjergji Papa mbështet plotësisht idetë e Lulzim Bashës për udhëzuesin e ri. Ai shprehet se është dakord me të gjitha ndryshimet që pritet të ndodhin në fund të shtatorit. “Jam plotësisht dakord me udhëzuesin. Nuk shoh ndonjë pikë në përbërjen e tij që të jetë kompromentuese. Çdo gjë është bërë sipas rregullores së vendosur brenda Partisë. Nuk ka asnjë gjë antikushtetuese në këtë mes” tha Papa. Një nga pikat më të rëndësishme të këtij udhëzuesi është edhe ajo që flet për mos lejimin e anëtarëve të PD-së për kandidim në dy poste njëkohësisht. Ky model sipas Papës është mjaft i rëndësishëm pasi në këtë mënyrë u jepet mundësia të përfshihen në kryesi një numër më i madh i anëtarëve të partisë. “Një nga pikat më të rëndësishme është ajo e mos kandidimit për dy poste sepse në këtë mënyrë i jepet mundësia e përfshirjes të të një numri më të madh të anëtarëve të partisë dhe në këtë mënyrë krijohet një decentralizim i pushtetit”-përfundoi deputeti demokrat Gjergji Papa./shekulli/