basha-luli

Lulzim Basha: Paketa fiskale do të paralizojë ekonominë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha organizoi një bashkëbisedim me studentët për të diskutuar në lidhje me buxhetin dhe taksat që ka parashikuar qeveria për vitin 2015.

Kryetari i Partisë Demokratike veçoi faktin se qeveria ka ndërmend t’i marrë çdo familje shqiptare 470 mijë lekë më shumë taksa vitin që vjen. Kjo është paketa e taksimit më të rëndë, tha Basha, e varfërimit, gjithashtu paketa e klientelës dhe e luksit qeveritar.

“Qeveria rrit sërish barrën fiskale mbi taksapaguesit shqiptarë pa përjashtim, ndërkohë që vendet e punës nuk janë shtuar por pakësuar, të ardhurat nuk janë rritur por ulur, ekonomia nuk është rritur qoftë edhe sadopak, nuk ka qëndruar as në vendnumëro, por ka rënë në kufijtë e recesionit.

Si e tillë kjo është paketë që synon t’u marrë taksapaguesve, të vegjël, të mesëm apo të mëdhenj, kacidhen e fundit, mundësinë e fundit. Është një paketë klienteliste e diktuar nga interesat e grupeve të lidhura me qeverinë që për të marrë monopolet në tregjet e disa mallrave të konsumit të gjerë, nuk janë menduar dy herë të godasin egër dhe vdekshëm prodhimin vendës.

Është një paketë e shpenzimeve të tipit “për rrush e kumbulla”, siç thotë populli, ku qeveria ka rritur shpenzimet e veta, për policë e inspektorë të INUK. Është një paketë që do të thellojë recesionin deri në paralizë të plotë te ekonomisë”, deklaroi Basha.