Lulzim Basha: Do të mbështesim çdo protestë

Lulzim Basha: Do të mbështesim çdo protestë

Lulzim Basha: Do të mbështesim çdo protestëOpozita duket se do të jetë në krye të çdo proteste që mund të zhvillohet në vend, të iniciuar nga ajo ose jo. Kjo deklaratë vjen nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së të zhvilluar paraditen e sotme, kreu i demokratëve akuzoi sërish qeverinë për papunësinë, që sipas Bashës ka prekur të gjithë vendin, dhe për shkarkimet nga puna të punonjësve të administratës.

“Qytetarët po ngrihen në këmbë për të çliruar mundësitë e ndaluara. Dhjetëra greva e protesta të vogla janë në shpërthim në të gjithë vendin. Sigurojmë qytetarët shqiptarë që po protestojnë apo duan të protestojnë se PD është përkrah tyre. Kërkesat e tyre janë të drejta, lufta e tyre është e drejtë, fitorja e tyre është e mundshme”,- deklaroi Basha.

Basha deklaroi se opozita do të qëndrojë në Parlament për të mbrojtur kushtetutën e vendit dhe të drejtat e qytetarëve. Lideri i demokratëve tha se arsyeja se pse po zhvillohen protestat në vend është papunësia, dhe sipas tij qeveria nuk po mban premtimin për 300 mijë vende të reja pune.

“Ka shumë e shumë motive që po ngrenë në këmbë protestuesit por kryefjala e protestave është puna. Qeverisë së shpunësimit dhe papunësimit masiv i ka dalë tepër populli i vet. Kjo është qeveria e shpunësimit masiv të Shqipërisë. Qeveria që ka premtuar 300 mijë vende pune është qeveria që është kampione në papunësimin e të rinjve”, -akuzoi Basha.

Më tej, duke folur për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Nëpunësin Civil, Basha tha se opozita kërkon që të tërhiqet projektligji për Nëpunësin Civil. Në fund kreu i opozitës paralajmëroi se opozita do të vazhdojë me protestat dhe se do të mbështesë çdo protestues që ngrihet kundër qeverisë.