Luiza Xhuvani në botën e vrasësve

Luiza Xhuvani në botën e vrasësve

Luiza Xhuvani në botën e vrasësveMe prindin Luiza Xhuvanin fola mesditën e 17 qershorit 2014. Ishte shumë e shqetësuar për lajmet e shpërndara se i biri, Kostandini, ishte në mesin e banditëve që qëlluan me armë policinë në ditën e parë kur qeveria e Ramës nisi çlirimin e Lazaratit nga trafikantët e drogës.

Deputeten Luiza Xhuvani e pashë në mes të muajit maj 2013, në zyrën e saj në Sarandë, ndërsa kishte nisur fushata për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013.

Ajo dje la mandatin e ligjëvënësit, por e la si prind. E la për të mos qenë pjesë e asaj politike që lindi, u rrit dhe bashkëjetoi ngushtë me vrasjen dhe krimin. Luiza Xhuvanin nuk e kam parë në asnjë prej këtyre viteve si deputetja e zonës së Sarandës, por vetëm si nëna e Kostandinit.

Emri i të birit dhe ngjarjet lidhur me të ia eklipsuan edhe atë pak nerv politikani që ndonjë artist ka patur dhe ka treguar në sallën e Kuvendit. Dhe tani që e la mandatin, ajo ka një mesazh të madh për të dhënë, përveç ndjesës që ka një prind i rrënuar për familjarët e viktimave: djali i saj, vrasësi i dyshuar i viktimave në mëngjesin e djeshëm, nuk do të ketë mburojë politike përballë drejtësisë dhe ai do të marrë dënimin e merituar për krimet që ka kryer.

Sot Luiza Xhuvani mund të ishin, siç edhe janë, shumë nëna në Shqipëri. Është trashëgimia e turpshme dhe kriminale që na la peshqesh Sali Berisha me të dy detyrat e tij, një herë si president i vendit dhe dy mandate si kryeministër. Në të dyja postet, ka mbjellë vetëm mandata, antishtet, degjenerim, krim, drogë, prostitucion, tallava dhe turbo- folk për t’ia marrë mendtë pjesës më vitale të shoqërisë, që të sundonte pa kokëçarje. Në të dyja herët njerëzit e tij ishin në krye të krimit shtetëror, duke dhënë shembullin personal, duke vrarë e plaçkitur, duke mbjellë terror dhe duke mos marrë asnjë përgjegjësi.

Nën qeverisjen e tij, fëmijët e tij dhe të politikanëve të tjerë bënin ç’të donin dhe, jo vetëm që nuk mbanin përgjegjësi, por as ata nuk e ndjenin për detyrim moral që të përgjigjeshin as moralisht, sepse penalisht kurrsesi nuk do të kishte këllqe asnjë gjykatës t’i procedonte. Çfarë do të ndodhte me Sali Berishën sikur djali i tij për ishte arrestuar dhe më pas gjykuar për krimin makabër në Gërdec, ku u shfarosën 26 njerëz? Çfarë bëri ai kur njerëzit e tij, të urdhëruar prej tij, ekzekutonin në mes të bulevardit 4 shtetas të pafajshëm në 21 janar 2011?

Çfarë bëri ai kur ministrat e tij të akuzuar për krime ndaj shtetasve dhe vjedhje të fondeve shtetërore përfunduan në hetimet e prokurorëve? Thjesht i zgjidhi me procedurë, duke intimiduar prokurorët, duke urdhëruar gjykatësit dhe duke lënë të lirë, ata që sot duhet të ishin ende pak hekurave për vrasje dhe korrupsion me fondet e shqiptarëve. Prindi Luiza Xhuvani mund ta kishte shpëtuar Kostandinin e vetëm nëse nuk do të kishte ndjekur këtë model që kishte mbjellë qeverisja e Berishës. Nuk do ta kishte pëdorur dhe djali i vetëm nuk do të ishte dënuar vetëm 14 muaj për vrasjen e shokut, duke i dhënë mundësinë që të jetë i lirë, dhe i pandëshkuar për tiu rikthyer sërish rrugës së krimit. Duke mbjellë zi në katër familje dhe duke ia mbyllur vetes përgjithmonë rrugën e jetës.

Luiza Xhuvani zgjodhi dje mençurisht të mos bashkëjetojë më me botën e vrasësve. Mund ta kishte shkelur edhe këtë radhë, se djali i saj i vetëm është në moshë madhore dhe përgjigjet vetë për veprimet personale. Por ajo zgjodhi si një politikane dhe si prind, se nuk mund të vazhdohet më kështu. Përdorimi i pushtetit politik për të fituar pandëshkueshmërinë, duhet të marrë fund për t’ia lënë të lirë rrugën drejtësisë.

Një veprim që, po të ndiqej nga ata që ishin deri dje në pushtet, duke mbrojtur krimin dhe korrupsionin e tyre, do të na dhuronte një drejtësi të vonuar, por të paharruar: një ish-kryeministër dhe fëmijët e tij të akuzuar për vrasje dhe korrupsion, ishministra që përlyen duart me gjak dhe me vjedhje masive, zyrtarë të rangjeve më të ulëta që lanë një vend të plaçkitur. Një veprim që nuk ka gjasa të ndodhë vullnetarisht, sepse ata janë arkitektët e kësaj bote vrasësish, prej të cilës Luiza vendosi të dalë dje.