Lufta e Tretë Botërore – Viti 2034

Lufta e Tretë Botërore – Viti 2034

Lufta e Tretë Botërore – Viti 2034Nëse lufta botërore e radhës do të ndodhë, me shumë gjasa do të jetë në Azi, në formën e një përplasjeje mes hgejemonit aktual, SHBA dhe sfidantit kryesor, Kinës.

Lajmi i mirë është se Kina nuk do luftë tani dhe në të ardhmen e afërt, pikësëpari sepse Pekini e di shumë mirë se shanset nuk janë në anën e tij. Por nëse hedhim sytë 20 vite në të ardhmen, në vitin 2034, rrethanat do të kenë ndryshuar rrënjësisht.

JO TANI
Ka tre arsye përse lufta nuk ka gjasa të ndodhë së afërmi.
Së pari, pavarësisht rritjes ekonomike vjetore dyshifrore në buxhetin për mbrojtjen, ushtria e Kinës mbetet ende shumë prapa asaj të SHBA. Kinës do i duhen 15 deri 20 vite që të barazohet apo pothuajse barazohet me forcat aleate SHBA-Japoni në brigjet e Azisë lindore.
Së dyti, pavarësisht gjithë zërave për ndërvarësi reciproke, Kina varet nga Amerika shumë më tepër se sa Amerika varet nga Kina. Kina vazhdon të ketë varësi të fortë nga SHBA dhe aleatët e saj, BE dhe Japonia, duke qenë se janë tregjet kryesorë të eksporteve të saj si dhe burimet për teknologjinë e përparuar. Në tërësi, varësia e Kinës ndaj tregjeve të huaj është shumë e lartë, teksa raporti i tregtisë me GDP-në është 53%. Kina importon shumë lëndë të para, si nafta dhe minerali i hekurit.

Duke qenë se mallrat e saj të importit transportohen përmes detit, Kina do të ishte tejet e cënueshme nga një bllokadë detare, e cila ka shumë gjasa të organizohet nga SHBA në rast të një konflikti të madh. Si për arsye ekonomike, edhe për arsye strategjike, qeveria kineze ndjek politika për të reduktuar varësinë e vendit nga tregjet e huaj, duke u përpjekur ta ndryshojë nga një model i orientuar nga eksportet, tek burimet e brendshëm të rritjes ekonomike. Ajo po bën gjithashtu përpjekje të sigurojë lëndë të para në vendet dhe rajonet pranë Kinës, si Azia Qendrore, Rusia apo Birmania, me qëllim që të ulë varësinë nga transporti detar. Megjithatë, për të paktën 15 apo 20 vitet e ardhshëm, varësia e Kinës nga sistemi ekonomik global i dominuar prej perëndimit do të mbetet e madhe.

Së treti, Kinës do i duhej të konfrontohej jo vetëm me SHBA, por edhe me aleatët aziatikë të Amerikës, përfshirë Japoninë, Australinë dhe ndoshta Indinë. Kështu që Kina ka nevojë për të paktën një aleat të madh si dhe disa aleatë më të vegjël. Aftësia e Kinës për të paraqitur një sfidë serioze do të varet në një masë të madhe nga formimi i një blloku gjeopolitik euraziatik mes Pekinit dhe Moskës. Kjo gjë po ndodh tani, por do të kërkojë pak më shumë kohë.
Përfundimi: gjatë 15-20 viteve të ardhshëm, një luftë e madhe në Azi nuk ka gjasa të ndodhë, sepse Pekini do të luajë një lojë të matur. Edhe nëse një përplasje ushtarake do të ndodhë, do të jetë e shkurtër, teksa Kina do të frenohet me shpejtësi prej forcës së Amerikës. Megjithatë, rreth vitit 2030, ekuilibri ka gjasa të ndryshojë, nëseKina do të jetë e suksesshme në: 1) ngushtimin e hendekut ushtarak me SHBA; 2) uljen e varësisë së ekonomisë së saj nga tregjet perëndimorë dhe lëndët e para nga jashtë; 3) formimin e një strukture aleancash.

2034: Koalicioni i indo-paqësorit përballë aleancës euraziatike
Në fakt ka një numër të pafundëm të ardhmesh alternative. Shpërthimi i Luftës së Tretë në Azi mund të mos jetë më i mundshmi, megjithatë nuk është as edhe më i pamunduri.
Të imagjinojmë këtë skenar për 2034-ën.
2034. Kina – e cila 4 vjet më parë përfundoi ribashkimin me Taivanin – është gjithnjë e më e shqetësuar për rritjen e fuqisë së Indisë. Në 2030-ën, India ia kaloi Kinës duke u bërë vendi me popullsi më të madhe në botë. Edhe më e rëndësishme, India me popullsinë e saj shumë më të re në moshë dhe me ekonominë e saj dinamike, ka patur tashmë një rritje më të shpejtë se sa Kina. India me modernizon me shpejtësi forcat e saj të armatosura, që brenda pak vitesh mund të paraqesë një sfidë serioze për të Kinën. Teksa rivaliteti Kinë-Indi për supremacinë në Indi arrin kulmin, Pekini vendos ë sulmojë i pari – përpara se Nju Delhi të ketë një shans për të ngushtuar hendekun.

Kjo ngjan me mënyrën se si në vitin 1914, shqetësimet e Gjermanisë për rritjen e vazhdueshme të aftësive strategjike të Rusisë kontribuan për vendimin e Berlinit në favor të luftës, pas krizës së Sarajevës. Mes udhëheqjes gjermane kishte një besim që, në 1917 Rusia do të përfundonte programet e saj të modernizimit të ushtrisë dhe dritarja e mundësive do të mbyllej.

Duke përmendur futjen e hundëve të indianëve në Tibet dhe inkursionet përgjatë kufirit të diskutuar të HImalajeve, forcat kineze hidhen në ofensivë në zonat kufitare dhe godasin bazat detare dhe ajrore indiane. Sulmi ndaj Indisë do të thotë luftë me Japoninë, pasi Tokio dhe Nju Delhi kanë firmosur një marrëveshje reciproke mbrojtjeje në 2031-shin – pikërisht për t’u siguruar nga një sulm i mundshëm i Kinës. Në të njëjtën kohë, me sulmin në Indi, Marina e PLA merr Senkakusin dhe përpiqet të marrë edhe ishujt Ryukyu.
Në vitin 2032, amerikanët tërhoqën forcat e tyre nga Japonia, pasi prisnin që pakti Japoni-Indi dhe fakti që Japonia, në vitin 2029 ishte bërë fuqi bërthamore do të mjaftonte për të frenuar Kinën. Kinezët, nga ana e tyre, kanë vënë një bast që SHBA, pasi është përshkuar nga një frymë izolacioniste, nuk do të ndërhyjë në anën e Japonisë.

Megjithatë, pas një farë hezitimi, SHBA hyn në luftë kundër Kinës. Kjo mund të jetë një përsëritje e ngjarjeve të 1914-ës, kur Berlini llogariti gabimisht se Londra do të qëndronte jashtë nëse Gjermania hynte në luftë kundër Francës dhe Rusisë.

Dy prej aleatëve të Amerikës në Paqësor, Australia dhe Filipinet, ashtu si dhe tre anëtarë të NATO-s – Kanadaja, Britania dhe Polonia i shpallin luftë Kinës. Kështu, krijohet koalicioni Indo-Paqësor anti Kinë i SHBA, Indisë dhe Japonisë. Kina nuk është e vetme në këtë luftë. Në vitin 2025, Kina, Rusia, Bjellorusia, Kazakistani, Kirgistani, Taxhikistani, Turkmenistani dhe Pakistani firmosin Marrëveshjen Euraziatike – një pakt kolektiv mbrojtjeje që u shndërrua në krahun politiko-ushtarak të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait. Mongolia u detyrua të hyjë në këtë marrëveshje në vitin 2033.

Rusia siguron Kinën nga veriu, i ofron asaj lëndë të para dhe pajisje ushtarake, si dhe dërgon një numër të kufizuar personeli ushtarak, si pilotë gjuajtësish dhe operatorë avionësh të telekomanduar për të luftuar në njësitë kineze. Përvec kësaj, përfshirja e drejtpërdrejtë e Rusisë në teatrin e indo-paqësorit është minimale. Moska është kryesisht e shqetësuar me Europën Lindore, sidomos Ukrainën, ku forcat properëndimore të mbështetura nga BE dhe NATO janë përpjekur të rimarrin kontrollin në Ukrainën lindore dhe jugore që, përpara se të shpërthente lufta në Azi, kishin qenë zonë ruse e influencës. Rusia dhe BE/NATO, ndërkohë që nuk janë formalisht në luftë, janë të përfshirë në një konflikt përmes të tretëve në Ukrainë.

Korea, e cila që nga viti 2027 ka qenë një konfederatë e veriut dhe jugut, qëndron e papërfshirë. Vendet e Azisë Juglindore (përvec Filipineve) shpallin gjithashtu neutralitetin e tyre, ashtu sic bëjnë dhe shtetet afrikanë, amerikano latinë dhe të Lindjes së Mesme.

LUFTE BOTERORE, VERSION I KUFIZUAR
Në terma luftarakë, Lufta e Tretë do të jetë shumë e ndryshme nga luftërat e shekullit 20. Së pari, palët kryesore do të jenë fuqi bërthamore. Duke qenë se përdorimi i armëve bërthamore do të rezultojë në asgjësimin reciprok, palët do të frenohen. Nuk do të jetë ndryshe nga Lufta e Dytë, ku palët ndërluftuese kishin sasi të mëdha armësh kimike, por nuk i përdorën nga frika e kundërveprimit.
Armët bërthamore do të kenë gjithashtu një efekt zbutës sa i përket akteve tradicionalë të luftës. Një shtet ka gjasa të përdorë armë bërthamore si mjetin e fundit, sidomos nëse qendra e tij është e pushtuar apo nëse qytetet kryesorë bombardohen. Duke kuptuar këtë, pala tjetër mund të preferojë të mos e vërë kundërshtarin pas qoshes.

Kjo mund të bëjë që zonat e ndërluftimit të kufizohen kryesisht në zonat periferike, larg prej rajoneve të populluar dhe industrializuar. Po kështu, strategët ushtarakë me shumë gjasa do të kujtojnë mësimet e të kaluarës, se një pushtim masiv nga toka në Azi është një luftë e humbur. Të gjithë këto do të bëjnë që fushëbetejat kryesore të Luftës së Tretë do të jenë deti, ajri, zonat malore si dhe hapësira kibernetike.

Një tjetër karakteristikë e Luftës së Tretë mund të jetë funksionimi i vazhdueshëm i diplomacisë dhe organeve ndërkombëtarë, që do të shërbejnë si kanale efektivë komunikimi mes kundërshtarëve. Shumë dekada ndërtimi institucionesh ndërkombëtarë mund të mos rezultojnë se kanë qenë të kota. Pasi kanë dështuar në parandalimin e luftës, institucionet ndërkombëtarë të paktën do të kufizojnë shtrirjen dhe zbusin efektet e saj. Edhe tregtia dhe transaksionet financiarë mes armiqve mund të mbijetojnë deri në një farë mase, pasi do të kalojnë mes vendeve neutralë si Korea, Singapori apo Turqia. Kjo do të jetë prova e fundit se ndërvarësia ekonomike dhe lufta nuk e përjashtojnë domosdoshmërisht njëra-tjetrën.

Ndoshta do të jetë një luftë e kufizuar. Si e tillë mund të mos kërkojë mobilizim total të burimeve njerëzorë dhe materialë. Në këtë kuptim, Lufta e Tretë do të jetë më e ngjashme me luftën e Spanjës apo Luftën 7-vjecare të shekullit 18, se sa luftërat botërore “totale” të shekullit që kaloi. Fakti që lufta do të ketë një nivel relativisht të kufizuar viktimash dhe nuk do të ketë nevojë për mobilizim total të burimeve mund të ketë pasojën e paqëllimshme që të zgjatet në kohë, në krahasim kjo me luftërat e të kaluarës, që përfundonin shpejt sepse burimet shteronin. Nëse një luftë nuk i tendos shoqëritë në një masë të papërballueshme, ato mund të mësojnë të jetojnë me të. Kështu që mund të ndodhë që Lufta e Tretë të jetë një tjetër Luftë Tridhjetëvjecare apo Pesëdhjetëvjecare.

Thënë kjo, gjithmonë do të ekzistojë rreziku që, në një moment, lufta “njerëzore” me intensitet të ulët, me zona mosluftimi të projektuara dhe kode sjelljeje mund të degjenerojë në një gjakderdhje më tradicionale me shumë viktima. As edhe përshkallëzimi drejt luftës bërthamore nuk mund të përjashtohet. Cilidoqoftë rezultati, kjo luftë me siguri do i japë fund botës ashtu si e njohim./HuffingtonPost/ *Profesor, Universiteti Federal i Lindjes se Largme, Vladivostok, Rusi/
Përshtatur në shqip nga BOTA.AL