ian-cliff

Londra mbështet 4 pikat e Tadicit, me kusht

Britania e Madhe mbështet planin e ri katërpikësh të presidentit të Serbisë, Boris Tadic, nëse Serbia paraprakisht, heq barrikadat ne veri të Kosovës, zbaton marrëveshjet e arritura në dialogun teknik dhe i shuan strukturat e veta paralele në Kosovë.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, ka thënë për “Kohën Ditore” se të katër pikat e propozuara nga presidenti i Serbisë jenë të njëjta me dispozitat e Planit të Ahtisaarit, andaj Londra zyrtare nuk do të kundërshtonte diskutimin e tyre.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadic, javën e kaluar tha se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë do të mund të zgjidhen nëse nëpërmjet një dialogu trajtohen katër çështje: një zgjidhje të veçantë për manastiret ortodokse serbe dhe administratën e tyre, garanci të veçantë për serbët në enklava, zgjidhjen e çështjes së pronave të qytetarëve serbë të Kosovës dhe një zgjidhje speciale për veriun e Kosovës.

Londra zyrtare po e mbështet propozimin nëpërmjet ambasadorëve në Kosovë e Serbi.

Fillimisht ka qenë ambasadori britanik në Beograd ai që ka dalë në mbështetje të planit, ndërkaq tek ka folur për “Kohën Ditore” të hënën, idenë e ka mbështetur edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ian Cliff.