Lisbona në pritje të finales së Liges se Kampionëve

Lisbona në pritje të finales së Liges se Kampionëve

Lisbona në pritje të finales së Liges se KampionëveLisbona në festë. Kryeqyteti portugez ia dorëzon çelësat për dy ditë Spanjës, ose më saktë tifozëve madrilenë të cilët kanë nisur të popullojnë rrugët e qytetit për finalen e madhe mes Atletico Madrid dhe Real Madrid në “Estadio Da Luz” të shtunën në mbrëmje.

Mijëra makina por edhe mjete të tjera transporti kanë destinacion Lisbonën, ndërsa skuadra “Merengues” shkeli në tokën portugeze rreth mesditës të së premtes.

Sipas informacioneve zyrtare që vijnë nga drejtuesit e zyrës së trafikut ajror, aeroporti i Lisbonës po punon me kapacitet maksimal dhe numri i fluturimeve që ulen pritet të shkojë deri në 650 një ditë përpara finales. Një fluks i tillë nuk është regjistruar në Lisbonë që prej finales së Euro 2004, ndërsa të shtunën pritet që numri i avionëve që do të ulen të shkojë në 740.

Përsa i përket skuadrës së Realit, me grupin ka udhëtuar edhe Xabi Alonso që nuk ka mundësi të luajë në finale, ndërsa me mbërritjen e skuadrës në aeroport, rreth 200 tifozë i pritën me ovacione të mëdha ku padyshim edhe lojtari më i shënjestruar ishte Cristiano Ronaldo.

Sipas mediave spanjolle, tifozët e Realit nuk do të nisen vetëm nga Madridi por shumë prej tyre janë nga vende të ndryshme të botës. Një nga problemet më të mëdha që po hasin drejtuesit e qytetit janë vonesat në montimin e ekraneve gjigandë në sheshet e Lisbonës, pasi jo të gjithë tifozët kanë mundësinë ta ndjekin ndeshjen në stadium.

Atmosfera mbetet e qetë pasi bëhet fjalë për dy tifozeri që e njohin mirë njëra-tjetrën pasi bashkëjetojnë në të njëjtin qytet prej dekadash.

Në total, pritet që në Lisbonë të zbarkojnë rreth 70 mijë tifozë të të dyja skuadrave, ndërsa më shumë se 600 gazetarë, mes të cilëve edhe grupi i Supersport, parashikohet që të mësyjnë në kryeqytetin luzitan. Gjithçka është gati, ethet e finales së Championsit, nga Lisbona shpërndahen në të gjithë botën.