Lirim Jakupi

Lirim Jakupi mohon akuzat

Ish-luftëtari i UÇPMB-së mohon akuzat që janë bërë ndaj tij. Procesi gjyqësor ndaj Lirim Jakupit ka rrënjë qysh nga viti 2003. Jakupi ishte dënuar me gjashtë vjet burg nga UNMIK-u, ndërsa është kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme.

Rigjykimi ndaj Lirim Jakupit po shkon drejt përfundimit. Të enjten në Gjykatën e Qarkut në Gjilan fjalën e tij e ka dhënë i akuzuari Jakupi. Ai i ka mohuar të gjitha akuzat që i vishen.

“Të nderuar gjykatës, i mohoj të gjitha akuzuat që më vihen në barrë. Në ditën kritike për të cilën unë akuzohem fare nuk kam qenë atje, për çka kam edhe dëshmitarë”, është shprehur Lirim Jakupi në fjalën përfundimtare të tij.

Pas fjalëve të Jakupit tani mbetet që mbrojtja dhe prokurori ta thonë fjalën përfundimtare.

Rasti i ish luftëtarit të UÇPMB-së i njohur me nofkën e luftës “Nazisti ” është kthyer në rigjykim nga ana e Gjykatës Supreme të Kosovës, pasi që ishte dënuar me gjashtë vjet burgim nga ish gjykatësi i UNMIK-ut Vinod Bolello.

Aktakuza ndaj tij është ngritur në vitin 2003 nga ana e prokurores ndërkombëtare Elizabet Ren. Sipas Elizabet Renit, Jakupi akuzohet për periudhën e vitit 2003 i cili së bashku me Asllan dhe Rasim Bajramin dhe Basri Xhemailin kanë qenë duke u përgatitur për një akt terrorist në territorin e Serbisë. Ren e ngarkon Jakupin edhe si pjesëmarrës në një akt terrorist të kryer në vitin 2003 ndaj dy policëve serbë në punktin policor në Konqul të Serbisë, shkruan Express.

Jakupi akuzohet për veprat penale të shtytjes, asistencës apo kryerje të terrorizmit.

Aktakuza e ngarkon Jakupin për periudhën e vitit 2003, i cili së bashku me Asllan dhe Rasim Bajramin dhe Basri Xhemailin kanë qenë duke u përgatitur për një akt terrorist në territorin e Serbisë.

Jakupi po gjykohet për një rast që është gjykuar në Gjykatën e Gjilanit e ku janë shpallur të pafajshëm Asllan Bajrami, Rasim Bajrami dhe Basri Xhemaili.

Rasti i Jakupit është tejet interesant, meqë ishte arrestuar më 20 dhjetor 2004 nga policia e UNMIK-ut. Atë kohë Jakupin e bënte përgjegjës prokurorja tjetër Cecelija Tilliada dhe e ngarkonte për tri vepra penale të detyrimit, katër vepra penale të rrëmbimit dhe tri vepra penale të shtrëngimit. Jakupi në këtë gjykim u shpall fajtor së bashku me ish komandantin e UÇPMB-së, Shefket Musliun dhe mori një dënim unik prej gjashtë viteve burg. Aktakuza e dytë ndërkaq e ngarkon Jakupin për periudhën e vitit 2003, i cili së bashku me Asllan dhe Rasim Bajramin dhe Basri Xhemailin kanë qenë duke u përgatitur për një akt terrorist në territorin e Serbisë. Edhe Gjykata Supreme e Serbisë ia kishte vërtetuar dënimin prej 15 vitesh burg, meqë Gjykata e Vranjës në vitin 2003 në mungesë e kishte dënuar dhe shpallur fajtor.

Në vendimin e Gjykatës Supreme të Serbisë është thënë se “ Lirim Jakupit, ish komandant lokal i UÇPMB-së, i cili tani ndodhet në arrati, i është vërtetuar dënimi prej 15 vitesh për shkak të veprimtarisë së tij armiqësore që i përkiste grupit të Shefket Musliut”.