Lionel Messi e fiton për herë të katërt “Topin e Artë”

Lionel Messi e fiton për herë të katërt “Topin e Artë”

Lionel Messi e fiton për herë të katërt “Topin e Artë”Ashtu siç edhe pritej Lionel Messi është fituesi i Topit të Artë 2012. Çmimi iu dorëzua futbollistit në ceremoninë e zhvilluar mbrëmjen e së hënës në Zurich të Zvicrës.

Messi fitoi çmimin prestigjoz duke mposhtur dy kandidatët e tjerë, Ronaldo dhe Iniesta. Ky është çmimi i katërt radhazi për asin argjentinas që në 2012 theu edhe rekordin e golashënuesit më të mirë në një vit kalendarik, rekord ky që mbahej prej vitesh nga legjenda gjermane, Gerd Muller.

Ndërkohë, në garë për çmimin si trajneri më i mirë i 2012-ës ishin trajneri i Realit të Madridit, Jose Mourinho, ish-trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola dhe trajneri i Spanjës, Vicent Del Bosque. Del Bosque, që në 2012 rishpalli kampione bote Spanjën, triumfoi përballë dy rivalëve të tij.

Në ceremoni u përzgjodh edhe skuadra e vitit e cila përbëhet: në portë , Kasijas, në mbrojtje: Dani Alves, Gerard Pique, Sergio Ramos, Marcelo; në mesfushë: Xavi Alonso, Xavi Hernandez, Andres Iniesta, Messi, Falcao, Cristiano Ronaldo.

Topi i Artë 2012 në futbollin për femra u diskutua mes futbollistes braziliane Marta dhe dy amerikaneve, Alex Morgan dhe Abby Wambach. Çmimin e fitoi amerikania Abby Wambach.

Trajneri i vitit për futbollin femëror shkoi për suedezen Pia Sundhage, ish-trajnere e kombëtares së SHBA-së e cila mposhti në këtë garë Bruno Pinin të Francës dhe Norio Sasaki të Japonisë.

Ndërkohë, Franz Beckenbauer mori çmimin honorar si “Presidenti i Vitit”, çmim që jepet nga FIFA që prej vitit 2001 që nderon personat dhe institucionet të cilat kontribuojnë në përmirësimin e futbollit pa u përpjekur për ta monopolizuar atë.

Çmimi “Fair Play” u diskutua mes skuadrës turke, Eskisehirspor për ‘fair-play’ e treguar në ndeshjet eliminatore të Ligës së Europës përballë skocezëve të St. Johnston, federatës uzbeke të futbollit dhe federatës së futbollit të Guatemalës. Cmimi shkoi për Federatën e Futbollit të Uzbekistanit.

Çmimi “Pushkash” njohur ndryshe si goli i vitit u diskutua mes Falcaos (Atl. Madrid), Miroslav Stoch (Fenerbahce) dhe Neymar (Santos). Goli i shënuar nga Stoch, në sfidën mes Fenerbahces dhe Genclerbirligit më 3 mars të 2012 u përzgjodh si goli më i bukur.