|

Ligji për TVSH-në nis të zbatohet me 25 ditë vonesë

Ndryshimet në Ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për disa sektorë, përfshirë edhe për mediet elektronike dhe të shkruara, nuk ka nisur të zbatohet sipas afatit të paraparë. Është dashur ndërhyrja e tatimpaguesve, në mënyrë që Administrata Tatimore që fillojë zbatimin e këtij ligji, 25 ditë pas fuqizimit të tij. 

Të mërkurën, Doganat e Kosovës kanë lëshuar pa taksa produktet e para që importohen për nevoja të medieve, e që Kuvendi i Kosovës i ka liruar ato nga ky detyrim që nga 15 qershori.

Kreu i Administratës Tatimore të Kosovës, Behxhet Haliti, thotë se ka qenë e pamundur fillimi i zbatimit të ligjit, në ditën e hyrjes në fuqi. Sipas tij taksat e marra në doganë për produktet e importuara për mediet dhe sektorët e tjerë të liruar nga tatimi që nga 15 qershori, do t’u kthehen palëve tatimpaguese.

“Ka qenë e pamundur që ky ligj të fillojë së aplikuari që në ditën e parë të hyrjes në fuqi të ligjit. Nëse kompanitë importuese të produkteve për subjektet që janë liruar nga TVSH-ja kanë paguar taksën pas 15 qershorit do t’u kthehen mbrapa taksat e paguara”, tha Haliti. Ishte “Grupi Koha” që reagoi pas rastit të dytë të detyrimit të pagimit të TVSH-së për mallrat e importuara për nevojat e kompanisë, dhe kjo në periudhën kur ligji tashmë kishte hyrë në fuqi.

Në letrën drejtuar ATK-së, “Grupi Koha” ka njoftuar se me gjithë hyrjen në fuqi të Ligjit për TVSH-në, më 15 qershor, Doganat e Kosovës nuk kanë lejuar importin e letrës dhe materialeve tjera, që sipas pikës 1.12 të Nenit 29 të Ligjit për TVSH-në, për nevoja të kompanisë mediale, ka detyruar të paguajnë TVSH-në në vlerë prej 2 mijë e 274 euro.

“Sot, po e njëjta gjë na ka ndodhur dhe për importimin e materialit të shtypit për shtypshkronjën tonë në të cilën botohet e përditshmja ‘Koha Ditore’, Doganat kërkojnë që ta paguajmë shumën prej 3 mijë e 440 eurosh në emër të TVSH-së, ani që neni 29 i Ligjit përkatës na ka liruar nga ky obligim. Meqë shumën nuk e kemi paguar, kamioni na është bllokuar në pikën doganore në Podujevë”, thuhet në letrën e “Grupit Koha”.

Arsyetimi i doganierëve në pikën kufitare ka qenë se nuk kanë marrë instruksione nga ATK-ja  dhe se për këtë arsye nuk mund ta zbatojnë ligjin. E vërteta është se ligji nuk parasheh formulimin e akteve nënligjore e as të instruksioneve, por vetëm e fuqizon atë, me ç’rast e bën automatikisht të zbatueshëm.

Përfituesit nga ky ligj nuk do të duhej të vuanin pasojat e moskoordinimit të institucioneve shtetërore. Por, sipas Halitit, një problem i tillë ka qenë e pamundur të zgjidhet në kohën e paraparë me ligj.

“Ne po vazhdojmë ende të kemi telashe me zbatimin e këtij ligji, por shpresojmë se e tërë kjo të zgjidhet dhe përfituesit të gëzojnë të drejtën e tyre”, tha Haliti.

Probleme, sipas tij, do të ketë me kompanitë që mund të deklarojnë se importojnë mallra për nevoja të medieve, e në realitet ato importojnë për qëllime të tjera.

Që nga 15 qershori, nuk aplikohet më Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për sektorët e shëndetësisë, arsimit, si dhe të medieve elektronike e të shkruara.

Përfaqësues të medieve dhe të universiteteve private e kanë mirëpritur zbatimin e Ligjit për TVSH-në, megjithëse i vonuar, pasi, sipas tyre, autoritetet kompetente kishin premtuar se një vendim  i tillë do zbatohej nga korriku i vitit të kaluar.

Ymer Mehmeti, udhëheqës i financave në “Grupin KOHA”, pjesë e së cilës është gazeta e përditshme “Koha Ditore”, dhe dy kanalet Kohavisioni dhe TV Arta, ka thënë se ky vendim ka efekt pozitiv në kompaninë. Ai tregon se vetëm gjatë një muaji, për materialet të nevojshme kjo kompani ka paguar TVSH deri në 20 mijë euro. “Grupi Koha” ka filluar të aplikojë ligjin në produktet e veta që nga 16 qershori.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është paguar në masën prej 16 për qind nga vlera e tatueshme e importit, hyrjeve brenda dhe furnizimeve tjera të tatueshme, me përjashtim të furnizimeve të normës zero.

Komentoni