Liderët shqiptarë të Luginës s’bien në ujdi për zgjedhjet në Serbi

Liderët shqiptarë të Luginës s’bien në ujdi për zgjedhjet në Serbi

Liderët shqiptarë të Luginës s’bien në ujdi për zgjedhjet në SerbiFaktori politik i shqiptarëve të Luginës së Preshevës vazhdon të jetë i përçarë sa i përket pjesëmarrjes me një listë unike në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, që do të mbahen më 16 mars 2014.

Kërkesë për unifikim të faktorit politik shqiptar kanë edhe zyrtarët e institucioneve të Prishtinës, mirëpo deri më tani nuk ka pasur kurrfarë suksesi në këtë drejtim. Liderët e Luginës janë ftuar në takim të mërkurën në Qeverinë e Kosovës, mirëpo ka pasur kundërshtime sa u përket kandidatëve shqiptarë për deputetë që duhet të garojnë në zgjedhjet serbe.

Edhe Jonuz Musliu, kryetar i Kuvendit Komunal të Bujanocit, konfirmon se faktori politik i atjeshëm nuk po arrin që të unifikohet rreth pjesëmarrjes, apo mospjesëmarrjes në zgjedhjet parlamentare serbe.

“Ne si përfaqësues të UÇPMB-së kemi kërkuar unifikim të faktorit politik shqiptar, pornëse kjo nuk ndodh, atëherë LPD u thotë “Jo” zgjedhjeve parlamentare”, ka thënë ai.

Sipas tij, spektri politik i shqiptarëve ende gjendet në fazën e konsultimeve, ndonëse e pranon se ka përçarje kryesisht rreth emrave të kandidatëve që do të mund të propozoheshin për deputetë të Kuvendit të Serbisë.

“Ata që kanë qenë edhe në të kaluarën pjesë e parlamentit serb dhe dëshirojnë që sërish të shkojnë, ndërsa pjesa tjetër kundërshton “, ka thënë Musliu.

Ndërsa kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Galip Beqiri, gjithashtu pohon se s’ka ndonjë pajtim të faktorit politik shqiptar për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare.

“Duhet që faktori shqiptar të jetë i unifikuar dhe nëse krijohet lista e përbashkët, atëherë do të arrihet që të fitohen sigurisht dy ulëse në parlamentin e Beogradit . Për momentin s’ka një qëndrim të përbashkët, përkundër apelit që i është bërë si nga Prishtina , Tirana dhe faktori ndërkombëtar . Pra, kemi të bëjmë me dy tabore, pro dhe kundër pjesëmarrjes“, ka thënë Beqiri.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Luginë, Belgzim Kamberi, duke i marrë parasysh sugjerimet e autoriteteve të Prishtinës dhe të Tiranës, tha se do të ishte pozitive që të dilet me një listë të përbashkët i gjithë spektri politik shqiptar dhe kjo sipas tij, do të ishte zgjidhja më e mirë.

“Kemi të bëjmë me dy botëkuptime politike pro dhe kundër zgjedhjeve. Shpresoj se qeveria e Tiranës dhe e Prishtinës do ta përdorin autoritetin e tyre, në mënyrë që shqiptarët të unifikohen.

Në këtë gjendje se si është skena politike e shqiptarëve në Luginë të Preshevës dyshoj shumë se do të arrihet një pajtim “, ka thënë Kamberi. Sidoqoftë, shqiptarët e Luginës së Preshevës në mandatin e fundit kannë qenë të përfaqësuar në Kuvendin e Serbisë me një ulëse.

Po qe se shqiptarët e Luginës së Preshevës do të dilnin me një listë të përbashkët, gjasat janë që në Parlamentin e Serbisë të shkojnë dy deputetë, e jo vetëm një që ka qenë deri më tani. Për dallim nga shqiptarët e Luginës, të cilët nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët për pjesëmarrje në zgjedhjet e Serbisë, në zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë të mbajtura më 3 nëntor 2013, iniciativa qytetare “Srpska” ka pasur mbështetjen e institucioneve të Serbisë.