|

Liberalizimi i vizave, Kosovës i dyfishohen kushtet

Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave për Kosovën, që në mënyrë ceremoniale iu dorëzua ditën e enjte Ministres kosovare të Integrimeve, Vlora Çitaku, tashmë e ka përcaktuar qartë se çfarë pret Komisioni Europian nga Kosova në këtë proces.

Ky hap, që është vetëm hapi i parë në një proces që parashihet të jetë i gjatë, përbën dorëzimin e detyrave të shtëpisë që institucionet e Kosovës duhet t`i plotësojnë në mënyrë që qytetarët e Kosovës të përfitojnë nga liberalizimi i vizave.

Dokumenti i kushteve të vijëzuara në raportin 15 faqesh përbën dyfishin e kushteve, të cilat u janë dhënë vendeve fqinje për procesin e njëjtë. Por, Komisioni Europian e arsyeton këtë duke thënë se gjatë përpilimit të tij, KE ka marrë parasysh edhe gabimet të cilat janë bërë gjatë proceseve të ngjashme me shtetet tjera të rajonit.

Është një numër i madh i kushteve, të cilat institucioneve të Kosovës u kërkohet t`i plotësojnë. Me gjithë faktin se Qeveria e Kosovës pretendon se ato do t`i plotësojë në kohë rekorde, jo gjithçka që kërkohet mund të plotësohet aq shpejt sa ka dëshirë Kosova.

Aspektet teknike dhe burokratike, që kanë të bëjnë me sigurinë e dokumenteve dhe krijimin e legjislacionit përkatës për fusha të ndryshme institucionale në përputhje me standardet evropiane, janë ndoshta pjesa më e lehtë për t`u përmbushur.

Ato që konsiderohen si sfida më madhore kanë të bëjnë me procesin e ripranimit dhe riatdhesimit, zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani në këtë fushë dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të reja, aty ku shihet e nevojshme.

Por, ajo që konsiderohet të jetë sfida kryesore në këtë proces, e që në raport përbën thelbin e kërkesave vënë Prishtinës, është luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe ofrimi i rezultateve konkrete në këtë luftë.

Veç tjerash në këtë fushë kërkohet adaptimi dhe zbatimi i legjislacionit në parandalimin, hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë shpëlarjen e parasë, krimeve ekonomike dhe financiare, dhe që këto të gjitha të reflektohen në Kodin Penal të Kosovës.

Komisioni Europian gjithashtu kërkon nga Kosova që të zbatojë strategji dhe plane veprimi në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit me qenie njerëzore, trafikimit të drogës, anti-terrorizmit dhe trafikimit të armëve, por edhe hetimit të pasurive me origjinë të pashpjegueshme.

Për të gjitha këto kushte, Komisioni Europian kërkon nga Kosova rezultate dhe raportim të rregullt, për të cilat BE do t`i raportojë rregullisht shteteve anëtare të BE`së dhe Parlamentit Europian.

Në dokument gjithashtu i bëhet thirrje Kosovës të eksplorojë mënyra të bashkëpunimit me institucione të BE`së, që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe luftimin e krimit, siç janë EUROPOL, EUROJUST, EMCDDA, por edhe me Misionin për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX.

Gjatë ceremonisë së marrjes së udhërrëfyesit, Ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku, theksoi se me gjithë numrin e madh të kushteve, institucionet e Kosovës do të angazhohen maksimalisht që ato të përmbushen në kohë rekorde.

Çitaku, në një konferencë për media të organizuar menjëherë pas marrjes së udhërrëfyesit, tha se menjëherë pas kthimit në Kosovë, ajo do të kërkojë nga të gjitha institucionet relevante që t`i përvishen punës për përmbushjen sa më të shpejtë të kërkesave, të cilat janë pjesë ë udhërrëfyesit.

Megjithatë, sipas informatave jozyrtare, të cilat kanë dalë nga Bashkimi Europian, Kosova nuk pritet të përfitojë nga liberalizimi i vizave së paku deri në vitin 2014.

Etiketa: