Lëvizja “Fol” : Performancë e dobët e infrastrukturës institucionale

Lëvizja “Fol” : Performancë e dobët e infrastrukturës institucionale

Lëvizja “Fol” publikoi të mërkurën një studim lidhur me transparencën e institucioneve dhe ndërmarrjeve publike në Kosovë, ndërsa sipas kësaj lëvizje përgjithësisht tregohet performancë e dobët sa i përket infrastrukturës institucionale.

Sipas lëvizjes “Fol”, ky studim është i pari i këtij lloji që bëhet në Kosovë dhe synon të masë transparencën e institucioneve dhe ndërmarrjeve publike që operojnë në vend.

Sipas Indeksit të transparencës institucionale të lëvizjes “Fol” të mbyllura vlerësohen Kuvendi i Kosovës, Zyra e Kryeministrit, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Prokuroria e Shtetit, Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme, Policia e Kosovës, Korporata Energjetike e Kosovës janë vlerësuar si pjesërisht të hapura, ndërsa Dogana e Kosovës definohet si jo plotësisht e hapur derisa Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit gjysmë e hapur.

“Megjithëse ky studim i parë i këtij lloji tregon performancë përgjithësisht të dobët sa i përket infrastrukturës institucionale. Ai synon të shërbejë si mekanizëm monitorues i vazhdueshëm për të përcjellë ngritjen e vazhdueshme të kapaciteteve institucionale për komunikim dhe informim publik, me synim përfundimtar rritjen e nivelit të përgjithshëm të transparencës së institucioneve dhe ndërmarrjeve publike, duke filluar nga krijimi i një qasjeje proaktive sa i përket qasjes në dokumente publike”, thuhet në njoftim.