LDK: Shpend Ahmeti “I ka hipur për bishti demokracisë”

LDK: Shpend Ahmeti “I ka hipur për bishti demokracisë”Grupi i LDK-së në Kuvendin e kryeqytetit konsideron se Shpend Ahmeti dhe VV e Prishtinës po i humbin betejat politike një nga një.
“Po i humbin betejat politike sepse e kanë kuptuar keq demokracinë. Ende s’e kanë kuptuar mirë që në demokraci vlen parimi i shumicës.

Duke i shkelur ligjet e arsimit, Shpend Ahmeti dhe VV dështuan me ndërprerjen e mësimit në shkurt të vitit 2014, duke u vonuar deri në katër muaj mosemërimi, dështuan me drejtorë ekzekutivë të komunës, duke e ndërruar objektin e kontratës për furnizim me naftë, shkelën ligjin, keqpërdorën dhe dështuan me naftën në shkolla duke e keqpërdorur pozitën zyrtare të kryetarit të komunës.”, thuhet në një reagim të grupit të LDK-së, dërguar medieve.

LDK thotë ndër të tjerash se Shpend Ahmeti dhe VV dështuan me kiflet e mykura nëpër shkolla, dështuan me dollapët nga të cilët u lënduan shumë nxënës fillorë.
Sipas tyre, Shpend Ahmeti, dhe VV dështuan me punësimin në komunë. Sollën militantë nëpër zyre në pozita të dyshimta spiunazhi, duke e politizuar dhe monopolizuar me veprime antiligjiore, sollën militantë politikë në sallën e Kuvendit për të sulmuar anëtarët e Kuvendit, dështuan me ndërmarrjet publike, sepse e shkelën ligjin në shkarkime dhe në emërime.
“Shpend Ahmeti dhe VV filluan të emërojnë e punësojnë militantë politikë të komunave të tjera. Shpendi me shokë të VV dështoi duke marrë pjesë në protesta të dhunshme në kryeqytet. Së fundmi deshtën ta rrëzojnë një ndërmarrje publike, po nuk i la shteti”.

“Shpendi ia ka mësyrë ta bëjë kryeqytetin shtet, kurse shtetin ta bëjë qytet! Shpendi i “ka hipur prej bishti demokracisë” në kryeqytet e po e sulmon shtetin. Vetëm dorëheqja do ta shpëtojë nga kompromitimi i plotë. E ftojmë të japë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Komunës, sepse më asnjë punë nuk i besohet dhe asnjë veprim nuk ia mbulon dështimet e tij gjatë gjithë vitit 2014. Fatkeqësisht me dështime e ka nisur edhe vitin 2015”./Indeksonline/