LDK e AAK: Zgjedhjet serbe shkelën Kushtetutën dhe sovranitetin e Kosovës

LDK e AAK: Zgjedhjet serbe shkelën Kushtetutën dhe sovranitetin e Kosovës

LDK e AAK: Zgjedhjet serbe shkelën Kushtetutën dhe sovranitetin e KosovësDy partitë opozitare, LDK dhe AAK, kanë thënë se është shkelur sovraniteti dhe Kushtetuta e vendit me mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Por, partia në pushtet, PDK-ja, ka thënë se nuk bëhet fjalë për një shkelje të tillë.

Këto vlerësime janë bërë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, që është mbajtur të hënë.

“Është shkelur sovraniteti. Qeveria është treguar e papërgjegjshme. Deklarata se vetëm janë grumbulluar vota është e pakuptimtë”, ka thënë Ismet Beqiri, shef i grupit parlamentar të LDK-së.

Ai ka thënë se nuk mund të tregojë se çfarë do të kishte bërë sikur partia e tij të ishte në qeverisje, meqë sipas tij, LDK-ja nuk do ta binte vendin në një situatë të tillë.

Se është shkelur Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka thënë edhe nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi.

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasnqi, nuk ka dhënë vlerësim për zgjedhjet serbe, ani pse dje gjatë ditës ai ka thënë se ky është edhe një mashtrim i radhës për qytetarët e Kosovës.
“Po thuhet: ‘Serbia s’po organizon zgjedhje, po grumbullon vota’. A mund të grumbullohen votat pa zgjedhje? Çka t’i themi këtij mashtrimi të radhës? Veçse, mos ia fyeni inteligjencën këtij populli se nuk është duke ngrën barishta të hidhura. Vendime të hidhura po se po!!! Popullit t’i thuhet e vërteta dhe vetëm e vërteta. Gënjeshtrat nuk pinë më ujë”, kishte shkruar Krasniqi, në ditën kur edhe në Kosovë po votohej për liderët në Serbi.