|

LB kundër aksioneve të VV-së

Përplasjet deri në armiqësi e forcave politike që veprojnë në Kosovë, denigrime e shpifjet ndaj njëra-tjetrës, janë të dëmshme jo vetëm për qytetarët e Kosovës, por për mbarë kombin shqiptar. Kjo situatë konfliktuoze ka gjasa të radikalizohet më 14 janar, ditën kur Lëvizja Vetëvendosje ka paraparë që t’i bllokojë pikat kufitare në Merdarë dhe tek Dheu i Bardhë, thuhet në një kumtesë të Lëvizjes për Bashkim.

“Lëvizja për Bashkim është kategorikisht kundër veprimeve që çojnë në drejtim të rritjes së acarimit të raporteve në mes partive në skenën e brendshme politike të vendit, është kategorikisht kundër garës për rritjen e ndikimit politik përmes veprimeve të tilla, si ky për synimin e bllokimit të pikëkalimeve kufitare, ku rreziku për eskalim të situatës deri në përplasje të dhunshme, e mbase edhe në gjakderdhje, është tejet i lartë”, thuhet në kumtesën, në të cilën ftohen të gjithë qytetarët “që në veprimet e tyre në radhë të parë ta kenë interesin e përgjithshëm e jo atë individual, grupor apo partiak”.

“Lëvizja për Bashkim i fton qytetarët që ta ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos lejojnë të keqpërdoren e të bien pre e atyre që marrjen apo ruajtjen e pushtetit e kanë synim të vetëm, pa marrë parasysh çmimin që do ta paguajnë qytetarët”.

Komentoni