floranM

Largimi pa lamtumirë i “Air Miftarit”

Florian Miftari u paraqit fuqishëm në basketbollin kosovar, por u largua shumë qetë nga ai. Miftari, 29-vjeçar, vlerësohet se ishte ndër lojtarët që ndikuan më së shumti në ngritjen e interesimit për basketbollin në Kosovë në vitet e para të pasluftës.

Miftari llogaritej lojtari më atraktiv vendës. Ishte i njohur sidomos për ngulitje, shënime për tri pikë dhe bllokada. Për këtë fitoi edhe nofkën “Air Miftari”.

Për largimin e hershëm nga basketbolli, Miftari fajëson ish-drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës. Ai ndeshjen e fundit e zhvilloi në fund të prillit të vitit 2009. Më 1 maj të atij viti u dënua më dhjetë muaj moslojë. Pas kalimit të dënimit pritej që Miftari të kthehej në parket, por nuk ndodhi kështu, ani pse ofertat nuk i mungonin.

“Për shkak të dënimit të pamerituar u zhgënjeva me drejtuesit e federatës dhe kjo ndikoi më së shumti në vendimin tim që t’i jap fund karrierës aktive në basketboll. Për shkak të një fyerjeje ndaj arbitrit u dënova që të mos luaja një kampionat.

Pasi më kaloi dënimi pësova një lëndim të shpinës dhe përfundimisht vendosa t’i jap fund karrierës. Në vendimin tim gjithsesi më së shumti ndikoi vendimi i Federatës. Për një lojtar është shumë e vështirë të kthehet pas pushimit gati njëvjeçar”, ka thënë Florian Miftari.

Ai ishte dënuar nga komisari i garave me arsyetim se ka ofenduar, kërcënuar dhe ka tentuar të sulmojë fizikisht arbitrat gjatë ndeshjes së plejofit mes Pejës e Bashkimit. Miftari ishte lojtar i Pejës atëkohë.

Edhe pse ka përfunduar karrierën, Florian Miftari nuk është larguar nga basketbolli dhe sporti. Ai është asistent i lëndës së basketbollit në Fakultetin e Kulturës Fizike, ndërsa së fundi është emëruar edhe këshilltar për sport i Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi.

“Shpesh më ndodh që të mos besoj që nuk po luaj basketboll. Por vendimi për përfundim të karrierës është definitiv. Megjithatë, nga basketbolli dhe sporti nuk do të shkëputem asnjëherë. Do të jap maksimumin që basketbollin dhe sportin në përgjithësi ta shtyj përpara”, ka theksuar Miftari.

Miftari karrierën në basketboll e nisi në vitin 1996, ndërsa trajner të parë kishte Masar Nixhën. Nga viti 1997 deri në vitin 2000 qëndroi në Turqi. Në vitin 2000 iu bashkua Prishtinës, për të cilën skuadër luajti deri në vitin 2005.

Sukseset më të mëdha i arriti në këtë skuadër. Fitoi tre tituj kampioni dhe tri kupa, ndërsa dy herë u vlerësua lojtari më i mirë në vend. Pas Prishtinës luajti për Mabetexin e AS Prishtinën, ndërsa karrierë bëri edhe në Islandë e Maqedoni. Në vitet e fundit luajti për Pejën.Miftari ishte reprezentues i Kosovës e më vonë edhe i Shqipërisë.

“Merak më ka mbetur që të organizoj një lojë përshëndetëse. Këtë natyrisht se do ta bëjë. Do të përshëndetem në skuadrën ku edhe kam nisur karrierën, pra në Prishtinë. Por këtë nuk do ta bëj pa u larguar nga ky klub disa njerëz që aty qëndrojnë vetëm për interesa personale”, ka theksuar Miftari.