f.1109093000301_m

Lapidar me logon e 100 vjetorit në fshatin Garanë

Përgatitjet për festën e 100 vjetorit te pavarësisë së shtetit shqiptar po vërehen dukshëm edhe në Kërçovë me rrethinë. Banorët e fshatit Garanë të komunës së Osllomesë, kanë marrë iniciativën për vendosjen e gurëthemelit të logos së 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptarë në hapësirat qëndrore të fshatit. Kjo iniciativë është ndërmarrë nga kryesia e BL të fshatit e cila ka gjetur përkrahje të fuqishme nga banorët Garanas.

Nismën për realizimin e këtij projekti e përkrahin edhe mërgimtaret e këtij vendbanimi, siç është shoqata humanitare “Garana” në Zvicër dhe shoqata humanitare “Garana” në Amerikë. Po kështu përkrahje për financimin e këtij lapidari kanë dhënë edhe disa firma private të cilat gravitojnë në fshatin Garanë të komunës së Osllomesë.

Siç potencoi kryetari i BL të fshatit Garanë Ibraim Koça, ky lapidar, do të këtë përmasat e 9 metrave, e punuar e tëra me beton të bardhë, ku do të vendoset logoja e 100 vjetorit të pavarësisë. ”Ky është një projekt i bashkësisë lokale i cili ndërtohet në prag të festës së 100 vjetorit të pavarësisë me përmasa që logoja të ketë një pamje mahnitëse dhe të duket madhështore në prag të festës së madhe të pavarësisë”, thotë kryetari i BL të fshatit Garanë Ibrahim Koça, raporton Zhurnal.

Kjo është hera e dytë që banorët dhe bashkësia lokale në fshatin Garanë marrin kësi lloj iniciative me karakter kombëtar.