Socrates_843520

Lamtumirë Dr. Socrates

Njëri prej mesfushorëve më të mirë në histori të futbollit, braziliani Socrates ka vdekur të dielën, pas një shoku septik të shkaktuar nga infeksioni në zorrë. Ai ishte i njohur për stilin e tij elegant në fushë, përfshirjen në politikë dhe praktikën në mjekësi. Kapiteni i Brazilit në Kampionatin botëror 1982, asnjëherë nuk mohoi konsumimin e rregullt të alkoolit, nga koha kur ishte futbollist deri te ditët e fundit të jetës.

Ish-futbollisti legjendar, Socrates, mesfushori i mençur që ishte kapiten i Brazilit në Kampionatin botëror 1982, vdiq të dielën. Ai ishte 57 vjeç. I njohur për stilin e tij elegant në fushë dhe përfshirjen në politikën braziliane, Socrates ndërroi jetë pas një shoku septik, si rezultat i një infeksioni të zorrëve, është bërë e ditur në një komunikatë nga spitali Albert Einstein në Sao Paulo.

Ai ishte dërguar në spital të shtunën dhe ishte në gjendje kritike në kujdes intensiv duke marrë frymë me ndihmën e një ventilatori. Socrates ishte hospitalizuar dy herë në muajt e fundit, kryesisht në shtator. Të dyja herët ai vuante nga hemorragjia e shkaktuar nga shtypja e lartë në vena që përcjell gjakun nga sistemi i tretjes te mëlçia.

Socrates kishte pranuar se konsumon shpesh alkool, edhe gjatë kohës kur shkëlqente si futbollist në të 80-at. Socrates ishte mbimestar në fushë dhe jashtë saj. Socrates konsiderohej si njëri prej mesfushorëve më të mirë në histori të futbollit. Ai u bë doktor pas pensionimit nga futbolli, e më pas krijoi famë si komentator në televizion dhe kolumnist, gjithmonë i veçantë me mendimet e tij. Ai asnjëherë nuk mohoi konsumimin e rregullt të alkoolit, nga koha kur ishte futbollist deri te ditët e fundit.

Në një intervistë të fundit, Socrates kishte thënë se e konsideroi alkoolin si “shoqërues” të tij, sepse besonte se konsumimi i rregullt nuk ndikonte në paraqitjet e tij në fushë.

“Alkooli nuk ndikoi në karrierën time, sepse asnjëherë nuk kisha ndërtim fizik për të luajtur këtë lojë. Futbolli u bë profesion imi vetëm kur isha 24 vjeç. Isha shumë i thatë dhe si i ri nuk kisha mundësinë të përgatitem mirë fizikisht për këtë sport”.

Nga koha si futbollist, Socrates asnjëherë nuk i mbajti për vete idetë e tij politike dhe shpesh shkruante rreth tyre në kolumnet e tij. I njohur si Dr. Socrates për shkak të praktikës së tij në mjekësi, ai ishte komentator kryesor në programin javor sportiv në televizion dhe ishte vazhdimisht i kërkuar nga mediet lokale për intervista rreth temave të ndryshme. Me klubin brazilian Corinthians, Socrates përhapi një lëvizje të quajtur Corinthians Democracy ku futbollistët protestuan kundër periudhave të gjata të izolimit të kërkuar nga klubi para ndeshjeve.

Socrates, emri i plotë i së cilit është Socrates Brasileiro Sampaio de Souza Vieira de Oliveira shkëlqeu për Corinthiansin në fillim të viteve të 80-ta, por luajti edhe për Flamengo, Santos dhe Fiorentinën në Itali. Ai ishte kapiten i Brazilit në Kampionatin botëror 1982 në Spanjë dhe ishte anëtar i skuadrës më 1986 në Meksikë. Skuadra e Brazilit nga 1982 u bë i njohur si ekipi më i mirë që nuk fitoi një Kampionat botëror.

Me futbollistë si Zico dhe Falcao, ajo u mposht nga Italia 3-2 në rrethin e dytë edhe pse i mjaftonte edhe një barazim për të kaluar në gjysmëfinale. Socrates ishte përfshirë në listën e FIFA-s prej 125 futbollistëve më të mirë në botë, listë e formuar nga bashkëkombësi i tij Pele. Socrates zhvilloi 63 ndeshje për Brazilin dhe shënoi 25 gola.