la-decima_hd

La Decima për Real Madridin

la-decima_hdReal Madridi ka bërë historinë në Ligën e Kampionëve duke e fituar trofeun e dhjetë të garës më të madhe evropiane për klube, atë që quhet ‘La Decima’. Në finalen e zhvilluar në Estadio da Luz të Lisbonës, Mbretërit mposhtën rivalin e tyre lokal, Atletico Madrid, me rezultat 4-1.

Pjesa më e madhe e fraksionit të parë ishte një lojë taktike e zhvilluar kryesisht në mesfushë, me pak raste shënimi. Los Blancos ishin skuadra më e mirë duke e kontrolluar lojën, megjithatë nuk ishin të rrezikshëm në fazën ofensive.

Gareth Bale pati një rast të shkëlqyer për të shënuar, mirëpo dështoi të tregohej i saktë. Shumë shpejt erdhi ndëshkimi. Një dalje të gabuar të Iker Casillas e shfrytëzoi Diego Godin, për ta realizuar golin e epërsisë (36’).

Lajm i keq për Los Rojiblancos ishte pamundësia e Diego Costas për ta vazhduar lojën. Sulmuesi e lëshoi fushën në minutën e nëntë, kurse vendin e tij e zuri Adrian. Nga ana tjetër, arbitri u tregua i butë me futbollistët e Atleticos dhe ndoshta ka mundur ta ndajë së paku një karton të kuq në gjysmën e parë.

Në gjysmën e dytë, Mbretërit u angazhuan maksimalisht duke bërë presion në gjashtëmbëdhjetësin e rivalit të tyre, mirëpo nuk arrinin të thyenin mbrojtjen e organizuar për mrekulli.

Gareth Bale dështoi të shënonte në dy raste depërtimi, ndërkohë që Karim Benzema nuk ishte aspak i rrezikshëm. Ronaldo rrezikoi nga gjuajtja e lirë.

Në minutat shtesë, kur tifozët e Atleticos po përgatiteshin për festë, Sergio Ramos realizoi. Një harkim të Luka Modric, mbrojtësi spanjoll e dërgoi në rrjet me kokë (90’+3). Rezultati i barabartë (1-1) e dërgoi ndeshjen në vazhdime.

Vetëm një skuadër luajti në pjesën e parë të vazhdimeve dhe ishin ata lojtarët me fanellat e bardha. Megjithatë, portieri Courtois nuk u rrezikua aq shumë dhe nuk pati gola.

Në pjesën e dytë të vazhdimeve, pas një tjetër sllallomi, Angel Di Maria depërtoi në zonë dhe goditi. Topi u devijua nga portieri Courtois, por vetëm deri te Gareth Bale, i cili realizoi me kokë (110’) për ta shpëtuar veten në këtë mbrëmje jo aq të mirë për të.

Dhe kur po afrohej fundi, Marcelo depërtoi vet dhe i dha fund çdo shprese të lojtarëve me fanellat bardh e kuq (118’).

Edhe Cristiano Ronaldo e shpagoi veten në fund duke nxjerrë një penalti dhe duke e konvertuar në gol (120’). Ky ishte goli i 17-të i rekordmbajtësit këtë edicion në Ligën e Kampionëve.

Ky është trofeu i dhjetë i Real Madridit në Ligën e Kampionëve dhe i pari që nga viti 2002. Asnjë klub tjetër nuk ka më shumë trofe se Los Blancos në këtë garë. Milani është më afër me shtatë tituj.

Për Atletico Madridin është finalja e dytë e humbur pas asaj të sezonit 1973/1974, ndërsa në këtë sezon mahnitës do të kënaqet vetëm me titullin e La Ligas. Reali nga ana tjetër e ka fituar edhe Kupën e Mbretit këtë sezon. /Telegrafi/