Kuvendi voton sot shkarkimin e Fullanit dhe Golemit

Kuvendi voton sot shkarkimin e Fullanit dhe Golemit

Kuvendi voton sot shkarkimin e Fullanit dhe GolemitKuvendi pritet të votojë sot kërkesën e Komisionit të Ekonomisë për shkarkimin e ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani si dhe atë për shkarkimin e Inspektores së Përgjithshme së BSH-së, Elivar Golemi.

Ish-guvernatori Fullani ndodhet tashmë në masë arrest shtëpie pas skandalit të vjedhjes së 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë ndërsa kryeinspektorja Golemi mori masën arrest me burg.

Fullani dhe Golemi akuzohen për shpërdorim detyre. Dy ditë më parë grupi parlamentar socialist vendosi unanimisht të votojë shkarkimin e dy zyrtarëve të lartë të BSH-së. Burimet nga mbledhja e grupit bënë të ditur për “Gazeta Shqiptare” se ky është vendim politik dhe se nuk do të tolerohet asnjë votim ndryshe. Në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar socialiste, ishte nënkryetari, Erjon Braçe që me anë të një postimi në rrjetin social të “Facebook”- ut, bëri të ditur se “të enjten në Kuvend, i shkarkojmë të dy; guvernatorin e Bankës së Shqipërisë dhe inspektorin e përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë!

Të paktën në Bankë nuk do jenë më pas vjedhjes historike të ndodhur atje!”. Ndërsa më herët kryeministri, Edi Rama me anë të një postimi po në “Facebook”, teksa iu jepte përgjigje miqve virtualë lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit që dha masën e arrestit shtëpiak për Fullanin, tha ndër të tjera se “unë nuk jam as prokuror dhe as gjykatës”.
/BalkanWeb/