Kuvendi miraton buxhetin e vitit 2015

Kuvendi miraton buxhetin e vitit 2015

Kuvendi miraton buxhetin e vitit 2015Kuvendi u mblodh sot në seancë plenare nën drejtimin e kryetarit Ilir Meta dhe miratoi në tërësi projekt buxhetin e shtetit për vitin 2015 dhe paketën fiskale. Kryetari i Kuvendit njohu deputetët me nismat e reja të depozituara në Kuvend nga Këshilli i Ministrave.

Pas miratimit të proces verbalit të seancës së kaluar, deputetët diskutuan në lidhje me projektligjin “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”.

Në emër të mazhorancës, relatori Anastas Angjeli deklaroi se ndryshimet në ligjin për Kontrollin e Lartë të Shtetit janë të domosdoshme dhe në funksion të luftës ndaj korrupsionit.
“Projektligji përcakton procedura më të qarta për përzgjedhjen e audituesve të pavarur që do të auditojnë veprimtarinë e KLSH-së. Këta persona përzgjidhen nga Komisioni për Ekonominë dhe Financat. Forcon bashkëpunimin e KLSH-së me Kuvendin, veçanërisht me Komisionin për Ekonominë dhe Financat, etj. KLSH-ja do të ketë pavarësi funksionale, pavarësi strukturore dhe pavarësi financiare. Duke shprehur vullnetin e plotë të mazhorancës për një qeverisje më të mirë në shërbim të qytetarëve, transparente dhe të vendosur për përmirësimin e vazhdueshëm të menaxhimit të financave publike dhe luftën kundër korrupsionit, mashtrimit dhe evazionit, vullnetin e plotë për të plotësuar detyrimet që rrjedhin nga angazhimet për integrimin evropian, ju siguroj se ky ligj është plotësisht në funksion të këtij qëllimi”, tha Angjeli.

Ky projektligj u votua me 89 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Më pas, anëtarët e Kuvendit vijuan me diskutimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8454, datë 4.2.1999, “Për Avokatin e Popullit” të ndryshuar.

Vasilika Hysi prezantoi disa prej risive të këtij projektligji. “Me miratimin këtij projektligji, zgjerohet roli i Avokatit të Popullit. Ligji gjithashtu zgjeron rrethin e subjekteve ndaj të cilëve do të zbatohen dispozitat e ligjit për Avokatin e Popullit, duke i shtuar krahas kategorive ekzistuese në ligj, si të huajt, refugjatët, personat pa shtetësi, edhe kategoria e azilkërkuesve. Po ashtu, përmes ligjit të ri sigurohet vazhdimësia më e mirë në rastet e mbarimit të mandatit pesëvjeçar të Avokatit të Popullit, duke parashikuar qëndrimin e këtij të fundit në detyrë deri në zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit. Në rastet e tjera të mbarimit të mandatit, parashikohet zëvendësimi i tij nga Komisioneri më i vjetër, deri në zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit. Në rast se Kuvendi s’ka pasur më parë një afat për shqyrtimin brenda afatit të raportit, tashmë nëse Kuvendi nuk i shqyrton brenda afatit, ato do të botohen automatikisht në faqe”, tha Hysi. Projektligji u miratua me 89 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Kuvendi diskutoi për projektligjin për buxhetin dhe për paketën fiskale. Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se nga ulja e taksave, vitin e fundit kanë përfituar 97% e shqiptarëve. “Ka një ngulmim propagandistik se në Shqipëri po rriten taksat, por në Shqipëri është viti i parë që 97 % e shqiptarëve kanë përfituar nga ulja e taksave, krahasuar me shumë vite të shkuara që kur hyri në fuqi taksa famëkeqe e sheshtë, mbi të ardhurat personale.

Nga kjo ulje taksash, një polic ka përfituar 262 mijë lekë më shumë se sa nën qeverisjen e mëparshme; një mjek ka përfituar 238 mijë lekë më shumë; një infermier 313 mijë lekë më shumë; një mësues 265 mijë lekë më shumë, ndërsa një punonjës administrate ka përfituar 257 mijë lekë më shumë se sa nën qeverisjen e shkuar”, tha Rama.

Kryeministri komentoi dhe reformën në sistemin energjetik duke vlerësuar rezultatet e saj. “Kjo rrugë është intensive. Një arritje e parë konkrete e operacionit për ta ndarë Shqipërinë nga hajdutët e energjisë. Kemi futur në vijë një bashkërendim forcash me bankat e nivelit të dytë për të shlyer një borxh dramatik që nuk është përfshirë në listën e borxheve të cituara më lart. Është borxhi ndaj sipërmarrësve dhe prodhuesve privat të energjisë. 60 milionë euro. Bankat e nivelit të dytë kanë ardhur kanë takuar Ministrin e Energjisë dhe kanë kërkuar konfirmim nga qeveria për mos ndalojnë këtë operacion dhe në këtë mënyrë të disbursojnë 30 milionë euro për të shlyer prodhuesit privat.

Është fillimi i uljes së çmimit nga prodhimi vendas dhe vendosja e prodhimit vendas në funksion të liberalizimit të tregut. Shqipëria plaçkë e madhe o burra, kush të marrë ndonjë copë dhe të pushtetërojmë duke e pushtetëruar. Kjo epokë ka marrë fund. Nuk jemi këtu për ta kthyer mbrapa, por jemi këtu për ta udhëhequr”, tha Rama.

Duke folur për paketën fiskale, Kryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Erjon Braçe, tha se nisma synon marrjen e të gjitha masave për mbështetjen e prodhimit vendas në industrinë e rëndë, në manifaktura, në bujqësi, në peshkim dhe në përpunim të mineraleve dhe të produkteve të tjera për industrinë vendase.
Duke folur për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, Braçe tha se projektligji krijon disa lehtësi për pensionet vullnetare, si shtylla e dytë e rëndësishme e reformës së pensioneve. “Janë 36 milionë dollarë më tepër në skemën e sigurimeve shoqërore, pikërisht për shkak të rritjes së personave të regjistruar si të punësuar”, u shpreh Braçe. Deputeti i PS-së informoi Kuvendin se komisioni propozon të mos hiqet akciza për pijet energjike, por ulja e nivelit të saj nga 50 në 30 lekë/litri.

Lidhur me projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr 9981, datë 8.9.2008,”Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, të ndryshuar, Braçe tha se do të ketë një impakt shumë të madh në të gjithë sektorin e blegtorisë në vend. “Përjashtohen nga tarifat doganore të gjitha kafshët, do të përdoren në blegtori qoftë për mbarështim, qoftë për edhe për prodhim të qumështit e kështu me radhë. Komisioni bëri edhe një shtesë ku përjashton nga tarifa doganore edhe shpendët që importohen pikërisht për të favorizuar këtë industri në Republikën e Shqipërisë. Dhe mbi të gjitha dua të theksoj se me këtë projektligj çlirohet nga tarifa doganore i gjithë ushqimi që do të përdoren për blegtori dhe natyrisht edhe për shpendët brenda territorit të Republikës së Shqipërisë me qëllim që të ndikojmë sado mundemi edhe në vlerën përfundimtare të produkteve që vijnë nga blegtoria”, tha Braçe.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar u miratua me 83 vota pro dhe 5 kundër. Po me kaq vota u miratuan dhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare” të ndryshuar. Me 82 vota pro dhe 5 kundër u miratua projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr.61/2012,“Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Ndërsa me 83 vota pro dhe 5 kundër u miratua projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr 9981, datë 8.9.2008,”Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, të ndryshuar.

Projektligji “Për buxhetin e vitit 2015” u miratua me 81 vota pro dhe 3 kundër, asnjë abstenim. Kuvendi diskutoi dhe për projektvendim “Për krijimin e komisionit të posaçëm “Për reformën në sistemin e drejtësisë”. Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Fatmir Xhafaj, u shpreh se reforma e sistemit të drejtësisë nuk është një hap i vonuar, por një hap i madh që po ndërmerret tani.

“Me vendimin e sotëm për të ngritur Komisionin për Reformën e Drejtësisë hedhim hapin e parë për përmirësimin e institucioneve dhe shoqërisë shqiptare në tërësi. Mund të konsiderohet si një hap i vonuar, por unë jam i bindur se është hap i madh që ne po ndërmarrim. Nëse reforma kushtetuese e 2008-s pati ndikim te sistemi i drejtësisë, kjo tregoi se shpejtësia në konsensus nuk garantoi sukses të reformave”, theksoi Xhafaj. Nisma u miratua me 84 vota pro dhe 4 kundër.

Projektvendimi “Për ndryshime dhe shtesa në vendimin e Kuvendit nr.166, datë 16.12.2004, “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar siguroi 88 vota pro.
Pas përfundimit të procesit të votimit dhe para se ta deklaronte seancën të mbyllur, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e festave të 28-29 nëntorit dhe në veçanti familjet e dëshmorëve të atdheut.

“Dua t’i uroj gjithë deputetëve dhe në veçanti gjithë popullit shqiptar, dhe akoma më në veçanti familjet e dëshmorëve të atdheut dhe heronjve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, familjeve të gjithë partizanëve, të gjithë veteranëve, gëzuar 28-29 Nëntorin, 70-vjetorin e çlirimit të atdheut”, përfundoi Ilir Meta. /albeu.com/