Kuvendi do t’i shqyrtojë një sërë ligjesh që preken nga marrëveshja

Kuvendi do t’i shqyrtojë një sërë ligjesh që preken nga marrëveshja

Kuvendi do t’i shqyrtojë një sërë ligjesh që preken nga marrëveshjaKuvendi i Kosovës pritet t’i shqyrtojë plotësimin dhe ndryshimin e një sërë ligjesh që preken nga Marrëveshja e 19 prillit e arritur në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë. Anëtarët e Komisionit parlamentar për legjislacion, nuk besojnë se ka nevojë për ndryshimin e shumë ligjeve. Sidoqoftë, deri tani, në Kuvend janë proceduar për ndryshim, Ligji për vetëqeverisje lokale dhe ai për të drejtat e komuniteteve.

Pas miratimit të Ligjit për amnisti, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të kenë para vetes gjatë këtij muaji edhe disa projektligje të tjera që duhet të kalojnë me procedurë të përshpejtuar. Komisioni parlamentar për legjislacion nuk e ka ende listën e plotë të ligjeve që preken nga marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sidoqoftë, zëvendëskryetari i këtij komisioni, Behar Selimi, nuk mendon se lista do të jetë e gjatë.

“Personalisht mendoj se nuk do të ketë shumë ligje që do duhej të ndryshoheshin për arsyte se shumica e detyrimeve që i kemi marrë nga marrëveshja rregullohen me akte tjera nënligjoire. Sidoqoftë, deri tani në Kuvend kanë ardhur dy projektligje që duhet të ndryshohen, ai për vetëqeverisjen lokale dhe Projektligji për të drejtat e komuniteteve”, tha Selimi.

Selimi thotë se te Ligji për vetëqeverisjen lokale, forcohet pozicioni juridik i asociacioneve, përkatësisht shpërbërja e tyre obligohet që të ndodhë me dy të tretat e votave të anëtarëve të asociacioneve, në këtë rast edhe të asociacionit aktual të komunave që ka Kosova, ndërsa Ligji për të drejtat e komuniteve kërkon forcimin e pozitës juridike të vëzhguesit nga veriu tek këshilli konsultativ pranë presidentes.

Ndërkaq, anëtari i Komisionit për legjislacion nga AAK-ja, Ardian Gjini, i kontaktuar nga Radio Kosova, nuk deshi të flas për këtë çështje, duke thënë se ende nuk dihen se cilat ligje do të ndryshohen. Gjini tha se komisioni nuk e ka ende para vetes një listë me ligjet që duhet të ndryshohen, si rezultat i marrëveshjes së Brukselit.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ditë më parë miratoi në procedurë të përshpejtuar Ligjin për amnisti, ndërkaq kësaj procedure duket se nuk do të mund t’i shpëtojnë as ligjet tjera të cilat preken nga marrëveshja e arritur mdërmjet Kosovës dhe Serbisë, për faktin se zbatimi i marrëveshjes do të varet nga miratimi i kornizës legjislative, për çka Kosova ka marrë zotimet në marrëveshjen e Brukselit.