Kush është “shefi i xhihadistëve” në Kosovë?

Kush është “shefi i xhihadistëve” në Kosovë?

Kush është “shefi i xhihadistëve” në Kosovë?Edhe pse Policia e Kosovës deri më tani ka arritur që t’i arrestojë 40 shtetas që dyshohen të kenë lidhje me xhihadin, gjegjësisht me ISIS-in dhe Al Nusra-n, si dhe është paralajmëruar edhe për arrestime tjera, askush deri më tani në Kosovë, të paktën publikisht nuk e di se kush është shef i tyre në Kosovë.

As nga Policia e Kosovës nuk kanë informacion se kush mund të jetë i udhëheqës i këtyre të dyshuarve.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani i ka thënë Gazetës Blic se policia nuk ka informacion se kush mund të jetë udhëheqës i këtyre të dyshuarve.

Sipas tij, hetimet është duke i vazhduar policia, dhe në ditët në vijim mund të ketë edhe arrestime tjera.

“Ne kemi pasur urdhërarrest individual për secilin. Jemi në proces të hetimeve dhe në ditët në vijim mund të ketë edhe të arrestuar tjerë. Mirëpo, nuk kemi informacion se kush mund të jetë udhëheqës i tyre”, ka thënë Kelani për Gazetën Blic.

As nga Prokuroria e Shtetit nuk kanë dhënë informacione se kush mund të jetë udhëheqës i xhihadistëve në Kosovë dhe i atyre që luftojnë në Siri dhe në Irak.

Ndërkohë, shumë të rinj nga Kosova tash e sa kohë po marrin pjesë në luftime në Siri dhe Irak. Madje, shumë prej tyre edhe janë vrarë gjatë luftimeve.

Edhe pse nuk dihet se kush mund të jetë udhëheqës i këtyre xhihadistëve, deri më tani ai i cili publikisht ka dalë se është duke luftuar për ISIS, është i riu nga Kaçaniku, Lavdrim Muhaxheri. Madje, ai ka publikuar foto duke ia prerë qafën një të riu, të cilët foto ngjallën reagime të shumta.

Prokuroria e Shtetit ditë më parë ka bërë të ditur se janë duke i hetuar edhe disa imamë, të cilët mund të jenë të përfshirë në rekrutimin e të rinjve për të luftuar në Siri dhe në Irak.

Ndryshe, para disa ditësh Policia e Kosovës e ka ndërmarrë një aksion ku ka arrestuar hiq më pak se 40 të dyshuar për përfshirje në luftën në Siri dhe në Irak.

Madje, njëri prej të dyshuarve mësohet sipas burimeve të Gazetës Blic se kishte planifikuar sulm në ngjarjen më të madhe kulturore në vend, “Dokufest”, i cili pritet të mbahet në Prizren. /Gazeta Blic/