hHH-Mimoza_Kusari

Kusari-Lila: Nuk do të ketë vula të dyfishta

Ministrja e Kosovës për Tregti dhe Industri, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se në kufijtë me Serbi do të përdoren vetëm vulat me simbolet e doganave të Kosovës.

“Të vetmet vula që do të përdoren në kalimet kufitare janë ato me simbolet e doganave të Kosovsë”, ka thënë Kusari-Lila për “Radio KiM”, duke reaguar në shkrimet e medieve të Beogradit për propozimet e Serbisë që të përdoren vulat e dyfishta.

Ministrja e Kosovës ka thënë se ky propozim nuk është i pranueshëm për palën e Kosovës. Ajo ka vlerësuar se ka qenë e planifikuar që për vulat doganore të fliltet që në fillim të procesit negociator, në mars, porse “ekipi i Beogradit e ka komplikuar situatën dhe e ka sjellë gjendjen e tashme në terren”.

“Tashti çdo propozim është i papranueshëm për palën e Kosovës. Vulat e doganave të Kosovës janë të vetmet që do të jenë në kufijtë e Kosovës”.

Mediat serbe, duke cituar zyrtarë të qeverisë serbe kanë thënë se “ekipi negociator nuk do të pranojë nën asnjë kusht përshkrimin “Doganat e Republikës së Kosovës”.

Por, në të vërtetë, Doganat e Kosovës, asnjëherë nuk e kanë pasur këtë përshkrim.

Që nga ndërrimi i vulave të UNMIK-ut në vitin 2008, Doganat kanë përdorur vulën në të cilën shkruhet “Dogana e Kosovës”, në të tri gjuhët zyrtare.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci konfirmon këtë.

“Faktikisht është vula e institucionit dhe shkruan emri i institucionet, faktikisht ‘Dogana e Kosovës’. Nuk shkruan Republika e Kosovës, nuk është shkruar asnjëherë”, tha Stavileci.

Zëvendëskryeministrja Kusari-Lila, tha se problemi i vulave doganore ka qenë ndër çështjet më lehtë të zgjidhshme në bisedimet Kosovë-Serbi.