Kupa e Shqipërisë, rinisin ethet e kualifikimit

Kupa e Shqipërisë, rinisin ethet e kualifikimit

Kupa e Shqipërisë, rinisin ethet e kualifikimitKupa e Shqipërisë do të kthehet sot pasdite me ndeshjet e turit të tretë kualifikues, me eliminim direkt, ku kanë mbetur në garë skuadrat më të forta.

Bëjnë përjashtim këtë edicion skuadrat e kryeqytetit, që për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar në 6 dekadat e fundit nuk ndodhen në këtë tur Dinamo, Partizani e Tirana, gjë që është e paperceptueshme për shumicën e fansave të futbollit në rang vendi.

Sidoqoftë, në garë janë skuadrat e tjera dhe Skënderbeu, ekipi më i kompletuar, pretendon të jetë favoriti për fitimin e këtij trofeu. Skuadra korçare, edhe pse ka dominuar futbollin tonë këta vitet e fundit dhe ka fituar katër tituj kampionë radhazi nuk ka mundur të sigurojë qoftë dhe një kupë të vetme.

Prandaj dhe fitimi i saj këtë sezon mbetet një objektiv madhor. Përballë në këtë tur çerekfinal është Laçi, skuadra fituese në fuqi e Kupës së Shqipërisë,e cila synon ta rifitojë këtë trofe këtë sezon. Pikërisht për këto shkaqe pritet që të ketë një ndeshje shumë të fortë në Kurbin sot, teksa tri ditë më parë në Laç pa tri dhunë n ë përplasjen e këtyre skuadrave në kuadër të kampionatit. Nga ana tjetër, Lushnja që do të përballet me Teutën nuk duket të ketë shanse të shkojë më tej, prandaj durrsakët shihen favoritë dhe madje konsiderohen pretendentë për fitimin e trofeut.

Madje Teuta e ka shfaqur ambicien e saj për të fituar Kupën e Shqipërisë që në fillim të herës. Objektivat e skuadrave të tjera në garë janë gjithashtu të mëdha, pasi fitimi i kupës i jep skuadrës që merr trofeun kalimin direkt në Europa League.

Përplasja Laçi do të jetë sërish kundërshtari i radhës për Skënderbeun, por tre ditë pas sfidës së kampionatit luhet çerekfinalja e parë e Kupës së Shqipërisë. Barazimi në kampionat nuk është një rezultat për t’u flakur tutje dhe trajneri kampionëve, Mirel Josa e vlerëson si më të vështirë sfidën e Kupës. Në 90-minutëshin e parë të çerekfinales, kampionëve i rikthehet kapiteni Shkëmbi, një rikthim që pritet t’i japë më shumë fantazi lojës së korçarëve.

Pas sfidës me Laçin, Skënderbeu do të ketë një tjetër transfertë të vështirë, atë ndaj Teutës në kampionat. Në një moment të tillë ekziston rreziku që skuadra të hyjë në ndeshjen e Kupës me mendjen tek ajo e kampionatit. Por për numrin një të stolit korçar diçka e tillë është e paimagjinueshme. “Ne e dëshirojmë këtë trofe dhe do të përpiqemi deri në fund.

Laçi është një skuadër shumë e fortë dhe ata do të jenë akoma më të motivuar këtë javë për të realizuar maksimumin ndaj nesh. Në kampionat ne barazuam me vështirësi, por e dimë se kundërshtari në kupë do të luajë edhe më fort e për këtë arsye na pret një ndeshje shumë e vështirë. Do të dëshironim një rezultat pozitiv për ta pasur më të lehtë në ndeshjen e kthimit. Tani vjen momenti i vështirë i sezonit, pasi duhet të japësh maksimumin si në kampionat dhe në kupë dhe në lojë janë dy trofe e Skënderbeu i dëshiron të dy”, tha Josa. Sfida e parë çerekfinale e Kupës së Shqipërisë, Laçi-Skënderbeu e cila do të zhvillohet të mërkurën në orën 14:00. /sot/