Europa-League

Kukësi dhe Skënderbeu pësojnë humbje për Europa League

Europa-LeagueSkuadra e Trabzonsporit ka ndalur hovin e Kukësit. Këta të fundit janë mposhtur në ‘Qemal Stafa’, nga ekipi turk me rezultat 0:2, në ndeshje e parë të play off-it për Europa League.

Skuadra e Kukësit në pjesën e parë zhvilloi lojë të mirë, por në minutën e 31-të u ndëshkuan. Ata pësuan gol nga pika e bardhë, të cilën e realizoi Adrian Mierzejewski.

Edhe në pjesën e dytë skuadra bardh e kaltër ka treguar paraqitje të mirë, por në minutën e 68-të kanë pësuar golin e dytë nga Paulo Henrique, pas një regaimi të dobët të skuadrës vendase.

Takimi i kthimit do të luhet javën e ardhshme në Trabzon, derisa mundësit e Kukësit për kualifikim në fazën e grupeve të Europa Leagues janë minimale.

Skënderbeu i Korçës ka marrë një rezultat të pranueshëm në udhëtimin në Odesa të Ukrainës, duke u mundur 1:0 nga skuadra vendase Çernomorec. Kampionët e Shqipërisë, të drejtuar nga Mirel Josa, kanë luajtur me shumë përkushtim në fazën defensive, ku kanë qenë të detyruar të gozhdohen nga presioni i madh i ukrainasve, që ka nisur nga minuta e parë e deri tek e fundit. Në një ditë të mrekullueshme ishte portieri Orges Shehi ai i cili ka evituar gola të sigurt me ndërhyrjet e tij spektakolare. Nuk kishte çfarë t’i bënte të vetmit gol të kësaj sfide në minutën e 75-të, shënuar nga Gai, shkruan Panorama.

Sidoqoftë, kjo humbje minimale duket në letër e rikuperueshme pas një jave, kur korçarët do t’i presin ukrainasit e Odesës në “Qemal Stafa”. Ndoshta në këtë ballafaqim do të jetë gati edhe kapiteni dhe organizatori i lojës së kuqebardhëve, Bledi Shkëmbi, i cili nuk kishte udhëtuar fare për në Ukrainë, pasi ishte i dëmtuar.

Në ndeshjen e së enjtes munguan në formacionin e Çernomorec të dy shqiptarët, Kristi Vangjeli, që ishte në stol, dhe Elis Bakaj, për arsye dëmtimi.