Kuçi, Isa Mustafës: Nuk shkohet direkt në finale

Kuçi, Isa Mustafës: Nuk shkohet direkt në finale

Kuçi, Isa Mustafës: Nuk shkohet direkt në finaleKryeministri në largim, Hashim Thaçi, si duket nuk e ka ndërmend që t’i përgjigjet kërkesës për debat televiziv nga ana e të parit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa.

E njëjta gjë vlen edhe për partitë tjera opozitare.
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë për Telegrafin se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk e nënçmon as opozitën dhe as të parin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, por sipas tij, ata me konkurrentët politik ballafaqohen me punë dhe ide.

Madje, për këtë Kuçi thotë se qytetarët e bëjnë dallimin në mes tyre, duke shtuar se Kryeministri në largim e ka agjendën pozitive dhe jo konfrontuese.

“Plus Isa Mustafa ka debate të hapura me Shpend Ahmetin për qeverisjen në Prishtinë dhe Fatmir Sejdiun për funksionimin e LDK-së, si dhe kërkesa për debat nga kreu i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albin Kurti. Pastaj nuk ka debatuar me të parin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj. Gjithashtu, ai duhet të ketë debat edhe me kreun e Aleancës për Kosovë të Re (AKR), Behgjet Pacolli”, ka thënë Kuçi.

Sipas tij, pasi t’i përfundoi Mustafa këto debate dhe nëse identifikohet si kryeopozitar, atëherë do të jetë “i gatshëm” të debatoj me kryeministrin Thaçi.

“Në finale nuk shkohet direkt, por me gara paraprake. Nëse i fiton ato gara, e pret finalja e debatit”, ka thënë Kuçi për Telegrafin.

Ndryshe, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tash e disa ditë është duke kërkuar ballafaqim televiziv me kryeministrin në largim, Hashim Thaçi. /Telegrafi/