Kryeministri Thaçi: Nuk do të flasim për statusin politik të Kosovës

Kryeministri Thaçi: Nuk do të flasim për statusin politik të Kosovës

Kryeministri Thaçi: Nuk do të flasim për statusin politik të KosovësStatusi i Kosovës, integriteti territorial dhe rregullimi i brendshëm i Republikës së Kosovës, nuk do të shtrohen asnjëherë në tavolinën e bisedimeve në Bruksel. Këtë garanci e ka dhënë kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen e Qeverisë.

Ai ka njoftuar kabinetin qeveritar për çështjet që do të diskutohen në takimin e nesërm në Bruksel me kryeministrin e Serbisë Ivica Daçiq, për të cilat pika është konsultuar edhe me liderët e subjekteve politike në Kosovë.

Një ditë para takimit të katërt në Bruksel me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e Baroneshës Catherine Ashton, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi shprehu qëndrimin se edhe në këtë takim do të respektohet plani i Ahtisarit dhe Kushtetuta e Kosovës. Para kabinetit qeveritar, kryeministri Thaçi tha se statusi dhe integriteti territorial nuk do të vihen asnjëherë në tavolinën e bisedimeve.

“Edhe në takimin e nesërm të udhëhequr nga baronesha Ashton ne do të respektojmë në plotni propozimin e Ahtisartit, Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, Rezolutën e Kuvendit të Kosovës dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel. Në asnjë mënyrë nuk do të bisedojmë për statusin e Kosovës, për tërësinë territoriale, për organizimin e brendshëm të Kosovës”, u shpreh Thaçi.

Ai përmendi pikat me të cilat do të paraqitet Kosova në këtë takim, e për të cilat është konsultuar edhe me liderët e partive politike në Kosovë. Kryeministri Thaçi tha se është e domosdoshme që në fund të këtij procesi Kosovës t’i sigurohet anëtarësimi në OKB dhe t’i hapet rruga e sigurt për anëtarësim në NATO dhe BE.

Kreu i Qeverisë foli edhe për situatën në Luginën e Preshevës, duke thënë se atje ekziston Marrëveshja e Konçulit që duhet të respektohet në përpikëri:

“Situatat që nuk janë në interesin e askujt të evitohen përmes një procesi të dialogut, të kontakteve të drejtpërdrejta të rregullta. Secili entitet ka identitetin e vetë që duhet ta respektojë dhe që duhet të nderohet nga të gjithë dhe në asnjë rrethanë mos të krijohen situata me kosto të panevojshme”, tha ai.

Thaçi shprehu besimin e plotë se liderët politikë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc do ta tejkalojnë me urtësi këtë situatë. Situata në Luginën e Preshevës është rënduar një ditë para takimit ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë në Bruksel. Ky i fundit ka paralajmëruar kohë më parë se do ta heq lapidarin e dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë, një ditë para takimit të radhës në Bruksel.