Kryeministri Rama fton investitorët: Shqipëria është biznes

Kryeministri Rama fton investitorët: Shqipëria është biznes

Kryeministri Rama fton investitorët: Shqipëria është biznesEdi Rama ka marrë pjesë në forumin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), kushtuar investimeve në Ballkanin perëndimor. Ai i premtoi biznesmenëve mbështetjen e Qeverisë që drejton, ndërsa njoftoi se së shpejti do të ngrihet edhe Këshilli i Investimeve.

Shqipëria është biznes. Me këtë sinonim, Kryeministri Rama ka ftuar investitorët e huaj të zbulojnë çka për të ofruar tregu shqiptar.

“Dua të ftoj të gjitha ata që janë këtu e që vijnë nga komuniteti i biznesit që të vijnë e ta shikojnë vetë se ne jemi biznes. Qeveria e Shqipërisë do të jetë partnere e të gjithë atyre që bëjnë biznes në Shqipëri”- u shpreh kreu i qeverisë.

Gjatë fjalës së tij në forumin e organizuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, kushtuar investimeve në Ballkanin perëndimor, Rama njoftoi edhe ndërtimin e një Këshilli të Investimeve.

“Një zgjatim i Këshillit Kombëtar të Tregtisë do të jetë Këshilli i Investimeve që do të krijojmë me BERZH, në mënyrë të tillë që investitorët në Shqipëri të marrin vendin që u takon si aksionerë afatgjatë të mirëqënies ekonomike të vendit. Kjo nuk është një përpjekje për të zgjidhur një problem të së tashmes por një përpjekje madhore për të ndryshuar të ardhmen ekonomike të Shqipërisë. Dhe nëse gabojmë diku, do të jemi të hapur për këshilla. Ashtu si edhe në luftë, suksesi nuk vjen nga një plan i mirë por nga aftësia për ta përshtatur atë me faktet dhe informacionet e reja”- deklaroi kryeministri.

Kryeministri shqiptar ftoi homologët e tij të rajonit të shkojnë përtej kufijve për të koordinuar përpjekjet në funksion të një tregu më të gjerë ballkanik.

“Duhet të gjithë të shikojmë përtej kufijve tanë për projekte rajonale që e sjellin Ballkanin perëndimor më pranë e që na lejojnë të shërbejmë një treg më të gjerë dhe më të diversifikuar. Disa prej projekteve më madhore që ka Qeveria jonë, janë rajonale. Të vetëm, në Shqipëri, jemi 3 milionë por të gjithë bashkë në rajon kapim 60 milionë, një treg që nuk mund të neglizhohet”- theksoi Rama.

Reforma energjitike dhe ajo në infrastrukturë u cilësuan nga Rama si prioritete kyçe të Qeverisë së tij.