Kryeministri Hashim Thaçi: Jam lodhur duke treguar se nuk ka ndarje të Kosovës

Kryeministri Hashim Thaçi: Jam lodhur duke treguar se nuk ka ndarje të Kosovës

Kryeministri Hashim Thaçi, thotë se serbët janë duke e rrezikuar të ardhmen e tyre evropiane, përderisa e dinë se çështja e kufijve në Ballkan është e zgjidhur.

Në një intervistë për gazetën kroate, “Jutarnji list”, kryeministri Thaçi thotë se ndihet i lodhur duke dhënë përgjigje që nuk do të ketë ndarje të Kosovës. Ndërkaq, takimet me kryeministrin serb Ivica Daçiq, kryeministri Thaçi i ka quajtur takime bilaterale.
Krijimi i shteteve dhe përcaktimi i kufijve në Ballkan është proces i përfunduar. Këtë e ka thënë qartë edhe sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton gjatë vizitës në Kosovë, por edhe në Serbi.

Nëse Serbia vazhdon të insistojë në ndryshim kufijsh, jo vetëm me Kosovën, atëherë kjo gjë do të mund të kthehet kundër saj dhe duhet ta dije se po luanë me zjarr. Kështu është shprehur kryeministri i Kosovës Hashim në intervistën dhënë gazetës kroate “Jutarnji list”.

Në intervistë, kryeministri Thaçi ka kundërshtuar çdo mundësi të ndarjes së Kosovës. Për më tepër, ai është shprehur se ndihet i lodhur duke dhënë përgjigje në propozime të tilla nga Serbia që, sipas tij, nuk mund t””u shërbejnë as rrëmujave të brendshme serbe, duke potencuar se Ivica Daçiq i di më së miri këto fakte.

Ndërsa, takimin me kryeministrin serb, Thaçi e ka quajtur bilateral. Ai ka thënë se në takim e ka përfaqësuar Qeverinë e Kosovës dhe në jakën e këmishës e ka pasur flamurin dhe stemën e Kosovës.

Kryeministri Thaçi ka thënë se takimi ka qenë në shenjë të barazisë së plotë dhe është mbajtur nën patronazhin e Bashkimit Evropian dhe ka qenë takim i kryeministrave të dy vendeve sovrane.

Ai ka thënë se me Daçiqin do të bisedon vetëm për çështjet teknike të marrëdhënieve të dy vendeve të cilat do të lehtësojnë bashkëpunimin ndërkufitar, tregtar, marrëdhëniet ndërnjerëzore e të tjera.

Sipas tij, Kosova është shtet i pavarur dhe së shpejti do të jetë anëtarë i OKB-së.