Kryeministri Berisha: Më 23 Qeshor shqiptarët do votojnë për të ardhmen europiane

Kryeministri Berisha: Më 23 Qeshor shqiptarët do votojnë për të ardhmen europiane

Kryeministri Berisha: Më 23 Qeshor shqiptarët do votojnë për të ardhmen europiane Kryeministri Berisha është shprehur sot optimist që mazhoranca do të fitojë zgjedhjet e 23 Qershorit.

Duke folur në aktivitetin e organizuar nga bashkia e Tiranës me rastin e 93-vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet, kryeministri Berisha i ka lidhur zgjedhjet me zhvillimet e mëdha që ka bërë kryeqyteti gjatë qeverisjes së djathtë.

“Jam i bindur që shqiptarët më 23 qershor do të votojnë për 93-vjetorin e Tiranës kryeqytet, do të votojnë për të ardhmen e kombit në Evropë” është shprehur kryeministri.

Kryeministri Berisha theksoi më tej se Tirana është shndërruar në kryeqytetin e kombit shqiptar

“Ngjarja e sotme është një nga ngjarjet më të rëndësishme të kombit shqiptar pasi përveç se është themeluar kryeqyteti i shqiptarëve por Tirana është shndërruar në kryeqytetin e kombit shqiptar. Në historinë e tyre të vështirë shqiptarët ia kanë dalë të krijojnë qëndra të mëdha me rrezatim të fuqishëm në rajon dhe më gjerë. Në kohën e Skënderbeut përpjekjet për të pasur një kryeqytet u vështirësuan në shkallë ekstreme dhe fakti që ne sot festojmë 93-vjetorit dëshmon se edhe në ato vite ne mbetëm si një komb me një kryeqytet të vetëm” tha Berisha.

Ndërsa Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha ka vlerësuar arritjet që ka bërë Tirana që pas shpalljes së saj kryeqytet 93 vite më parë.
Duke folur në aktivitetin e organizuar me temë “Qeveria e parë në Tiranën kryeqytet”, kryebashkiaku Basha theksoi se sot Tirana është streha e kulturave dhe traditave.

“Para 93 vitesh në këtë godinë ndryshoi fati i qyteti tonë. E ardhmja ishte e paqartë, por banorët e Tiranës e mbrojtën qeverinë e Sulejman Delvinës. Ne sot jetojmë të lirë, por duhet të tregojmë respekt për familjet e mëdha të Tiranës, pasi i treguan skeptikëve që ky komb kishte te ardhme. Edhe atëherë kishte njerëz që ushtronin forcën e tyre për ta ndaluar Shqipërinë, por mbështetja që gjeti qeveria në vitin 1920 në familjet e Tiranës ishte garanci për të vijuar para. Tirana ishte zemra e kombit. Sot pas 93 vjetësh kryeqytet, Tirana është autoktone dhe strehë e kulturës. Është një qytet që bashkëjeton me ndryshimet. Ne jetojmë sot në kryeqendrën e sipërmarrjes dhe studentëve. Nuk është e rastësishme që Tirana është ëndrra e të rinjve” tha Basha.
Sipas kryebashkiakut Basha, për fat të keq ka pasur raste kur Tirana është shfrytëzuar për interesa ekonomike, kur është ndaluar festa dhe stolisja dhe ajo është trajtuar si komunë e largët.
“Sot Tirana ka simbolet e saj. Sot Tirana ka shqiponjën e madhe në hyrje të qytetit tonë dhe monumentet e heronjve të kombit. Tani ka ardhur koha që këtij qyteti ti shërbehet me sakrifica. Sa më shumë të punojmë dhe të sjellim standartet europiane aq më shumë ndriçojmë sakrificën e patriotëve tanë. Tani qyteti nuk fillon dhe mbaron në qendër” shtoi Basha.
Basha ka përsëritur angazhimin e plotë të tijin dhe stafit të bashkisë për të shërbyer me përkushtim ndaj nje qyteti që e meriton t’i shërbesh denjësisht.