Kroacia, Sllovenia dhe Bosnja mbeten të rrezikuara nga përmbytjet

Kroacia, Sllovenia dhe Bosnja mbeten të rrezikuara nga përmbytjet


Kroacia, Sllovenia dhe Bosnja mbeten të rrezikuara nga përmbytjetVërshimet edhe më tutje rrezikojnë Kroacinë, ndërsa në Slloveni, reshjet gjatë natës mes të dielës dhe të hënës shkaktuan probleme shtesë, kurse në Bosnje pritet rritje e sërishme e nivelit të lumenjve.

Rreth dy e treta e territorit të Kroacisë është përballur me vërshime, si pasojë e reshjeve të fundit, ka njoftuar Agjencia Kroate për Emergjenca Kombëtare.

Reshjet e shiut kanë vazhduar pa ndërprerë që nga java e kaluar, duke shkaktuar ngritjen e nivelit të lumenjve, duke bllokuar rrugët dhe duke rrezikuar shtëpitë dhe fabrikat.

Nuk është raportuar për të vdekur apo për të lënduar. Ushtria kroate ka angazhuar me qindra ushtarë, për të ndihmuar banorët në zonat e rrezikuara.

Zyrtarët kanë njoftuar se situata më kritike brenda 48 orëve të ardhshme pritet të jetë përreth qytetit të Sisakut.
Në Slloveni, reshjet gjatë mbrëmjes të së dielës kanë shkaktuar probleme shtesë dhe në disa pjesë të Sllovenisë shkollat do të qëndrojnë të mbyllura.

Ujërat gjatë ditëve të kaluara kanë përmbytur rreth 850 shtëpi dhe 240 objekte ekonomike. Edhe në Slloveni në ndihmë ka dalë ushtria, e cila është angazhuar në shpëtimin e qytetarëve në zonat e goditura.

Në Bosnje pritet rritja e nivelit të lumit Sava, si pasojë e valës së ujit e cila po arrin nga Kroacia.
Vërshimet më të rënda që kanë goditur Ballkanin në 120 vitet e fundit filluan në maj, me ç’rast kanë humbur jetën mbi 40 persona.

Rreth 35 mijë njerëz në Bosnjë dhe 25 mijë të tjerë në Serbi u evakuuan nga shtëpitë e tyre gjatë vërshimeve të majit, ndërsa me mijëra të tjerë u larguan nga shtëpitë e tyre pa pritur që të evakuohen nga autoritetet.