Kroacia përballet me të ardhme të pasigurt

Kroacia përballet me të ardhme të pasigurt

Kroacia përballet me të ardhme të pasigurtNë ditët e fundit përpara pranimit zyrtar të Kroacisë në BE, urime mbërritën çdo orë nga krerë të shteteve përreth botës dhe qeveria përfundoi një festim kombëtar që njoftohet se do të kushtojë 1 milion euro.

Mes festimeve, megjithatë, shumë kroatë janë të shqetësuar për të ardhmen financiare të vendit e disa thanë se qytetarët mund të zhgënjehen kur ta kuptojnë se kamionët e mbushur me para nga Brukseli nuk po prisnin në kufirin slloven që të hyjnë në Kroaci në mesnatën e 1 korrikut.

Përkundrazi, ekspertë thanë se shtetasit dhe autoritetet duhet të jenë gati për sfida të reja.

Hyrja në BE shënon një piketë pozitive për Kroacinë. E copëtuar nga konflikti vetëm dy dekada më parë, vendi është tani një demokraci e qëndrueshme, e aftë të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit në BE dhe mbajtjen e një sërë standardesh të Bashkimit.

Por ka mjaft çështje të rëndësishme me të cilat Kroacia duhet të përballet, përfshirë nivelin e papunësisë që sillet rreth 20 përqind, standardet e jetesës në rënie, korrupsionin e gjendur kudo mes elitës politike të saj e një rënie në vlerësimin ndërkombëtar të kreditit.

Nikola Vuljaniç, një nga përfaqësueset e Kroacisë në Parlamentin Evropian, tha se shtetasit nuk duhet të presin fonde të mëdha nga BE-ja.

“Askush në një restorant nuk ju ofron drekë falas, apo jo? Duhet të punojmë shumë, shumë për të marrë paratë nga BE. Ajo që është pozitive është se shtetasit do të përjetojnë shtetin e së drejtës në një kuptim real për herë të parë në historinë e Kroacisë. Shtetasi është në qendër të vëmendjes në sistemin evropian të drejtësisë e është i mbrojtur nga të gjitha ligjet e zbatueshme. Gjithashtu, kontakti i vazhdueshëm me popujt evropianë padyshim do të jetë i dobishëm”, tha Vuljaniç për SETimes.

Kroacia, një vend me 4,4 milionë banorë, është vetëm kombi i dytë i ish-Jugosllavisë që bashkohet me BE. Sllovenia, vetë në një krizë të thellë ekonomike, u bashkua me bllokun në vitin 2004. Kroacia do të jetë vendi i parë ish-komunist që bashkohet që nga Rumania e Bullgaria, që u bënë anëtarë në vitin 2007.

Kryeministri Zoran Milanoviç së fundmi vuri në dukje se për shkak të skandaleve të shumta të korrupsionit, Kroacia ka një reputacion se është një vend i korruptuar. Ai theksoi se kjo gjë duhet të ndryshojë.

“Reputacioni ynë është prishur nga ajo që ka ndodhur dhe duhet të luftojmë për ta ndryshuar këtë, sepse kjo është arsyeja pse Kroacia konsiderohet një vend i korruptuar”, tha Milanoviç në një seancë të qeverisë në fund të majit. “Pavarësisht se kush është përgjegjës për këtë imazh, duhet ta ndryshojmë”.

Sipas të dhënave nga Transparency International, Kroacia renditet nën Ruandën, Jordaninë e Kubën në treguesin e saj të korrupsionit për 2012-tën. Ish-kryeministri i Kroacisë Ivo Sanader, që luajti një rol kryesor në bisedimet për anëtarësimin në BE, mori një dënim me 10 vjet në burg vitin e kaluar pasi u shpall fajtor për marrjen e shumë miliona eurove ryshfet nga kompani të huaja.

Kroatët shpresojnë së hyrja në BE do të ndihmojë në nxitjen e ekonomisë dhe krijimin e vendeve të punës. [AFP]
Ekonomistë thanë se hyrja kroate në BE do të hapë shumë dyer për përmirësimin e ekonomisë, por shtuan se vendi do të përballet me konkurrencë të madhe.

“Hapja e tregjeve, heqja e pengesave të tarifave, fluksi më i madh i mallrave … këto janë përfitimet. Megjithatë, gjithashtu nënkupton konkurrencë në rritje për firmat vendase, kështu që kjo do t’i detyrojë ato të ristrukturohet e të modernizohen në mënyrë që të jenë konkurruese e të suksesshme. Sigurisht, një opsion i shkëlqyer është mundësia e përdorimit të fondeve evropiane që shteti duhet t’i përdorë në mënyrën e drejtë”, tha për SETimes Damir Novotni, analist ekonomik e ish-anëtar i këshillit të guvernatorëve në Bankën Kombëtare Kroate.

Tashmë ka 370 000 njerëz të papunë në Kroaci e shifra është duke u rritur shpejt. Që nga 1 janari, 12 000 vetë kanë humbur vendet e tyre të punës. Paga mesatare në Kroaci është 700 euro në muaj.

Punëtorët shpresojnë se do të ketë më shumë mundësi punësimi për ta në Evropë sesa në Kroaci. Ndërsa anëtarësimi në BE nënkupton liri të lëvizjes, nuk nënkupton domosdoshmërisht liri të punësimit. Blloku lejon që vendet të kufizojnë punësimin për shtetasit e vendeve të reja anëtare për deri në shtatë vjet.

Kroatët nuk do të lejohen të punojnë në Austri, Belgjikë, Angli, Gjermani, Hollandë ose Slloveni për dy vjet. Rumania, Portugalia, Finlanda, Suedia e Sllovakia kanë thënë se nuk do të vendosin kufizime të punësimit mbi kroatët.

Lado Gojkoviç, 35 vjeç, një banor i papunë i Zagrebit, tha se hyrja në BE nuk do të sjellë ndonjë gjë të re për qytetarët.

“Një ndalim i punësimit do të mbetet ende në disa vende të BE-së … Megjithatë, njerëzit duhet ta kuptojnë se askush nuk do të trokasë në dyert e tyre t’u ofrojë punën që kanë ëndërruar. Deri tani, nuk kam patur fat që të gjej një punë të përshtatshme në Kroaci, por sigurisht do të kërkoj për diçka në vendet e BE-së”, tha Gojkoviç për SETimes.

Ivan Kovaçeviç, president i Punës së Ndërtimit të Kroacisë, tha për SETimes se më shumë se 40 000 punëtorë të sektorit të ndërtimit kanë humbur vendet e tyre të punës gjatë katër viteve të fundit dhe se më shumë se 30 kompani ndërtimi falimentuan gjatë vitit të kaluar.

“Gjendja që po shpresojmë pas 1 korrikut është që kompania jonë do të shkojë të punojë në Evropë. Tregu më i madh i punës nënkupton më shumë konkurrencë, por është shpresa jonë e vetme tani. Mund të them se e ardhmja është e pasigurt”, tha Kovaçeviç.

Megjithëse motori ekonomik që vjen me anëtarësimin në BE është pakësuar mjaft nga shtypja e kredisë botërore dhe euroja me probleme, Kroacia mund të presë të shohë disa përfitime.

Kroacia do të fitojë mundësinë e përdorimit të programeve të financimit të BE-së — përfshirë të qenit partner në buxhetin e Bashkimit. Buxheti, që ishte 864 miliardë euro nga viti 2007-2013, mbulon shpenzime për bujqësi, politika të brendshme, administratë e kompensim, mes sektorëve të tjerë.

Parashikohet se Kroacia do të marrë 11,7 miliardë euro në financime të BE-së deri më 2020, por vendi duhet që t’i fitojë ato para duke propozuar projekte të përshtatshme.

Presidenti kroat Ivo Jesipoviç (djathtas) u takua së fundmi me shefen e politikës së jashtme të BE-së Ketherin Eshtën. [AFP]
Që kur u bashkua me bllokun më 2007, Bullgaria e Rumania kanë patur disa vështirësi në mundësinë e marrjes e përdorimin e fondeve të BE-së. Bullgaria ka përdorur vetëm 19 përqind të fondeve të saj të disponueshme nga Bashkimi, ndërsa Rumania ka përdorur vetëm 4 përqind.

Në një deklaratë me shkrim për SETimes, Ministria e Punëve të Jashtme e Kroacisë tha se vendi pret financime të BE-së për projekte në bujqësi, zhvillimin rajonal e ndërtimin e infrastrukturës.

“Sfidat që na presin janë të shumta. Ekonomia e Kroacisë do të duhet t’i përshtatet një tregu të madh e të jetë konkurruese si një mundësi për të qenë më e suksesshme, më e pasur e më e qëndrueshme. Pavarësisht nga të gjitha vështirësitë ekonomike, BE-ja ende paraqet komunitetin me standardin më të mirë të jetesës, por gjithashtu një treg prej mbi 500 milionë konsumatorë”, tha ministria.

Sipas sondazheve së fundmi, mbështetja për hyrjen e Kroacisë është në 60 përqind, por vetëm 49 përqind e kroatëve thanë se vendi i tyre do të përfitojë nga anëtarësimi. Kur Kroacia filloi bisedimet për hyrjen e tyre 10 vjet më parë, mbështetja për BE qëndroi në 85 përqind.

Shumë qytetarë shpresojnë se anëtarësimi do të jetë pozitiv.

Maja Zablat ka kaluar tre vjet në Fakultetin e Shkencave Politike në Zagreb e planifikon të vazhdojë studimet e saj në tetor në Austri.

“Do të trajtohem si një student vendas, si të gjithë që vijnë nga territori i BE-së. Plani im është të vazhdoj për një gradë master pasi të përfundoj këtë vit të fundit të studimeve të rregullta. Pas kësaj, kush e di? Mbase do të gjej një punë në Austri. Nëse jo, do të kthehem në Kroaci e do të përpiqem të gjej njëfarë punësimi. Tani, nuk ka shumë shpresë për këtë, por mbase gjërat do të ndryshojnë brenda disa vitesh”, tha Zablat për SETimes.

Amela Bauk, 40 vjeç, një mësuese nga Spliti, tha se shpreson për kushte më të mira pune e pagë më të lartë.

“Mbase buxheti i shtetit do të përmirësohet pasi të hyjmë në BE e prandaj mbase do të ketë më shumë para për ata që janë duke punuar në një sektor publik. Fëmijët e mi do të jenë në gjendje të shkojnë në shkollë falas në një nga universitetet evropiane”, tha Bauk për SETimes.

Në kuptimin politik, Kroacia tani do të përpiqet ta krijojë vetveten si një faktor kryesor në stabilitetin rajonal. Ekspertë thonë se Kroacia do të vazhdojë të ndihmojë përpjekjet e integrimit evropian të vendeve të tjera të Ballkanit.

“Politikisht, Kroacia nuk do të harrojë fqinjët e saj e ky është një pozicion i përbashkët i të gjithë politikanëve e partive. Megjithatë, janë ata që mendojnë se bashkimi me BE-në është një largim përfundimtar nga Ballkani, kjo nuk do të ndodhë. Kroacia do të vazhdojë të mbështesë fqinjët e saj në rrugën për në BE”, tha për SETimes Davor Xhenero, një profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Zagreb.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian Peter Stano e quajti hyrjen e Kroacisë në BE një “sinjal fuqie për Ballkanin perëndimor”.

“Hyrja e Kroacisë ripohon se shansi i integrimit evropian mbetet i hapur për të gjitha vendet në rajon që tregojnë vullnetin e nevojshëm politik për të zbatuar reforma politike e ekonomike dhe për të vërtetuar respektin e tyre për vlerat evropiane, si shteti i së drejtës, parime demokratike dhe të drejtat e njeriut”, tha Stano për SETimes.

“Përveç kësaj, transformimi i Kroacisë dhe hyrja e mëpasshme në BE forcon stabilitetin në një rajon të paqëndrueshëm pranë kufijve të BE-së. Përparimi i arritur në pajtimin e përmirësimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë kontribuuan për ta sjellë Kroacinë atje ku është sot. Kroacia jep një shembull në lidhje me këtë për të gjitha vendet e tjera në rajon dhe shpresojmë se ato do ta ndjekin këtë shembull”.

A do të sjellë anëtarësimi në BE përfitime për vendin? Na thoni se si në komente.
/SETimes.com./