Kriminaliteti në Vatikan: A mund të jenë këto të dhëna të sakta?

Kriminaliteti në Vatikan: A mund të jenë këto të dhëna të sakta?

Kriminaliteti në Vatikan: A mund të jenë këto të dhëna të sakta?Shteti më i vogël i botës ka një problem në rritje me kriminalitetin – të paktën nëse i hedh një sy statistikave të kriminalitetit në raport me numrin e banorëve të tij. Po flasim për shtetin “Qyteti i Vatikanit”, siç njihet zyrtarisht. Vetëm rreth 400 persona banojnë në të, e ndër ta kardinalë, prelatë dhe laikë.

Dhe numri i krimeve të kryera duket se është shqetësues, “e ai fatkeqësisht po rritet edhe më tej, trajtuar në aspektin statistikor, sidomos në nivelin e krimit ekonomik e korrupsionit”, tha Gian Piero Milano, Prokuror i Përgjithshëm i Selisë së Shenjtë, sipas “Spiegel Online”.

“Ka me qindra procese civile e penale. Sidoqoftë – edhe kjo i përket të vërtetës – në 99 për qind të rasteve, mbartësit e veprave penale që shndërrohen në kriminelë, nuk janë nëpunës të Selisë së Shenjtë, por njëri apo tjetri nga rreth 18 milionë vizitorët e territorit të minishtetit”, shpjegon nga ana tjetër në një studim të kryer së fundmi, instituti nga rajoni i Vestfalisë për Kërkime Ekonomike në publikimin e vet mbi statistikat kriminalistike në vitet e shkuara.

Mirëpo edhe te njerëzit e religjionit dhe në Bankën e Vatikanit po ndodhin gjithnjë e më shumë krime apo zhvillime të dyshimta, siç na tregon një vështrim i shpejtë i muajve të kaluar:

100.000 të dhëna me pornografi fëmijësh

Ish-ambasadori i Selisë së Shenjtë i akuzuar për abuzim seksual, Josef Wesolowski, tashmë është liruar nga arresti shtëpiak, por është lejuar të qëndrojë edhe më tej në qytetin e Vatikanit dhe t’i nënshtrohet kufizimeve strikte në komunikim.

Weselowski akuzohet se kur ka qenë me shërbim diplomatik në Republikën Domenikane, ka abuzuar seksualisht me shtatë fëmijë. Ai u arrestua në fund të shtatorit të 2014-s. Ndër të tjera, ai akuzohet edhe se kishte ruajtur në serverin e kompjuterit të tij 100.000 video apo pamje pornografike me fëmijë.

Wesolowski është i pari përfaqësues i lartë i Kishës Romane, që duhet të përgjigjet para një gjykate në qytet-shtetin e Vatikanit ndaj akuzave për abuzime seksuale.

Afera të dyshimta në tregun imobiliar

Kundër dy ish-menaxherëve të Bankës së Vatikanit po hetohet për dyshimet rreth përvetësimit të parave në këmbimet apo bizneset imobiliare. “Istituto per le Opere di Religione” (Instituti për Veprat Religjioze /IOR) megjithatë bëri të ditur në dhjetor se para disa muajve kishte nisur vetë një hetim të pavarur ndaj të dyshuarve në radhët e veta.

Bëhet fjalë për aksione që nisin në vitet 2001 deri në 2008, të cilat u zbuluan gjatë procesit të kontrollit të brendshëm, të nisur vitin e shkuar në bankë.

Kontot e prekura u ngrinë më pas me urdhër të prokurorit. Gian Piero Milano foli edhe për një anëtar të dytë të Kishës, i cili është konfrontuar me akuzat për pornografi fëmijësh. Se kush është ai, kjo akoma është e panjohur, thuhet në deklaratë.

Droga

Në mars 2014, dogana në Aeroportin e Lajpcigut kapi një sasi droge, e cila ishte destinuar për në Vatikan. 340 gramë kokainë në formë të lëngshme, paketuar në 14 prezervativë. Vlera në tregun e zi e mallit kapte shifrën e 40.000 eurove. Vatikanit sidoqoftë nuk i mbetet gjë tjetër veçse të pranojë se në Vatikan ka “shpërndarës droge të paskrupullt, përpjekjet e të cilëve sidoqoftë janë mbytur qysh në gjenezë”.

Shpëlarje parash

“Komisioni Mbikëqyrës i Vatikanit AIF, i ka përcjellë Tribunalit (Gjykatës së Vatikanit) disa momente dyshimi në pesë raste të tjera. Si pasojë e rregullave shumë strikte për futjen e parave në qytetin e Vatikanit, në vitin e kaluar gjyqësor u kontrolluan 4.000 persona dhe 7.000 automjete”, bëri të ditur “Radio Vatikan” para pak ditëve.

Kontabilitet modern? Pa rezultat

Gjatë përpjekjeve për më shumë transparencë financiare në Vatikan, ndodh ndonjëherë që papritur të zbulohen të dhëna për qindra milionë euro, të cilat nuk janë shfaqur në bilance. Standardet e kontabilitetit “modern” thuhet se në këtë rast, janë “injoruar”.

Vatikani për shkak të strukturave të tij jotransparente financiare dhe para së gjithash, para skandaleve në Bankën e Vatikanit, ndodhet prej kohësh nën kritika. Qysh prej nisjes së mandatit të tij në krye të Kishës Katolike Romane, Papa Françesku ka bërë thirrje për reforma të menjëhershme e thelbësore në shumë komisione. /gazetashqip/