Kreu i ri i PD, dyndje anëtarësimesh, procesi shtyhet edhe 24 orë

Kreu i ri i PD, dyndje anëtarësimesh, procesi shtyhet edhe 24 orë

Kreu i ri i PD, dyndje anëtarësimesh, procesi shtyhet edhe 24 orëGara për postin e pasardhësit të Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike, dyndi dje demokratët në ambientet e selisë qendrore në Tiranë, për t’u bërë në mënyrë të shpejtë anëtarë me qëllim që të votojnë kandidatin e preferuar.

Zyra e departamentit të organizimit në PD është përballur gjatë gjithë ditës dhe deri në orët e vona të mbrëmjes me një fluks të madh simpatizantësh, të cilën kërkonin të anëtarësoheshin në PD. Po jo të gjithë kanë arritur të bëhen anëtarë të anëtarësimit dixhital në PD, për shkak se shumë prej tyre nuk kanë respektuar statusin e partisë, që anëtarët të regjistrohen në vendbanimet e tyre dhe se dy muaj para zgjedhjeve nuk mund të bëhesh anëtar.

Kjo ka krijuar një “pështjellim” për punën në PD, ku në kat të parë tek zyra e organizimit punohej pa ndërprerje me sistemin online dixhital. Anëtarësimet e vjetra kanë hyrë në sistem ndërkohë që afati i përcaktuar nga kryesia e PD-së në mbledhjen e së premtes ishte i pamjaftueshëm për t’i bërë të gjithë anëtarë, ndërkohë që sot pritet zyrtarisht mbyllja e procesit të anëtarësimit dhe përpilimi i një shifre përfundimtare të anëtarësisë së partisë.

Njëherësh ka dalë dhe udhëzimi i ri i PD-së, i cili përmban dy pika, konkretisht:

“Ditën e hënë të definohet regjistri i anëtarësisë së partisë dhe ditën e enjte të regjistrohen kandidatët për kryetar të ri të PD-së”. Sa u përket kandidatëve, kanë nisur regjistrimet e para të tyre, por ata kanë kohë deri ditën e enjte që të dorëzojnë kërkesat për kandidat dhe të shpallin platformat për postin e kreut të ri të PD-së.

Menjëherë pas çeljes së garës për zgjedhjen e drejtuesit të ri të PD-së, zyra e organizimit në këtë parti nisi verifikimin e listave të anëtarësisë për votimin sipas parimit “një anëtar-një votë” të kandidaturave që do të paraqiten për këtë post. Të premten e shkuar, kryesia e PD-së zyrtarizoi hapjen e garës për kreun e ri të saj, pas dorëheqjes nga kjo detyrë të z.Sali Berisha, lideri i saj historik.

Në fjalën e tij, z.Berisha, i cili do të mbajë drejtimin e partisë deri në zgjedhjen e drejtuesit të ri, tha se “sot PD-së i nevojitet një fillim i ri”. Aktualisht më të përfolurit për këtë garë janë emrat e njohur të PD-së, Sokol Olldashi, Lulzim Basha, Edi Paloka, ndërkohë që ende nuk dihet nëse do të kandidojë ish-kreu i demokratëve, Eduart Selami.

Gjithashtu kandidaturën për kryesimin e PD-së e ka shpallur zyrtarisht edhe ish-deputeti demokrat, Aleksandër Biberaj. Dy kandidatura të tjera janë ato të biznesmenëve Erion Nikolli, ish-dhjetorist dhe biznesmeni Flamur Buçpapaj. Brenda tri ditëve pritet që të mbyllet edhe procesi i regjistrimit të kandidatëve, të cilët pritet të jenë të shumtë në numër, për t’iu nënshkruar më pas ballafaqimit të platformave dhe votimit. Lideri Sali Berisha paralajmëroi në mbledhjen e fundit të kryesisë së PD-së se, pasardhësi i tij do të zgjidhet në fillim të muajit gusht, ndërsa bëri të qartë se në garë mund të marrë pjesë çdo anëtarë, zyrtar dhe drejtues i PD-së përmes votimit të anëtarësisë dhe jo Kuvendit, siç është me aktualisht me status./balkanweb/