etoo private

Krejt luajnë për para

Sulmuesi i Anzhi Makhachkala, Samuel Eto’o ka pranuar se transferimi i tij në Rusi ishte ndikuar nga paratë, por insistoi se cilido futbollist tjetër në botë do të kishte vepruar njësoj.

Ylli kamerunas u bë futbollisti më i paguar në botë, pasi nënshkroi kontratë trevjeçare me klubin e pasur nga Dagestani, ku thuhet se do të përfitojë 20 milionë euro në vit. Vlera marramendëse e kontratës është diçka që nuk e turpëron Eto’on.

“Kam marrë një ofertë të rëndësishme dhe e kam pranuar atë. Ne të gjithë punojmë për para dhe kushdo që thotë ndryshe është një hipokrit”, tha Eto’o për të përditshmen sportive spanjolle AS.

Në një temë tjetër, Eto’o ka thënë se trajneri më i mirë me të cilin ka punuar deri më tani gjatë karrierës së tij është Luis Aragones, ish strategu i Mallorcas nga sezonet 200-01 dhe 2003-04.

“Për mua trajneri më i mirë i të gjitha kohërave është Luis Aragones, ndërsa Jose Mourinho është më i miri aktualisht. Kam mësuar shumë nga Aragones si futbollist dhe si njeri”, përfundoi ai.