KQZ-14-MAJ-2014_ugpcznwypc

KQZ vendos për rinumërimin e 115 kutive të votimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot mbajti mbledhjen e radhës të kryesuar nga kryetarja, Valdete Daka, ku u mor vendim për ribumërimin e 115 kutive të votimit.

Në këtë mbledhje, koordinatori i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, Burim Ahmetaj bëri të ditur se të premten pasdite është përmbyllur procesi i rinumërimit të 30 kutive të votimit, për të cilat KQZ kishte vendosur të rinumëroheshin.

Po ashtu, gjatë mbledhjes, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për rinumërimin e 115 kutive të votimit, pasi janë vërejtur mospërputhje të votave të kandidatëve dhe subjekteve politike.

Ahmetaj para anëtarëve të KQZ-së ka paraqitur raportin preliminar ku janë dhënë arsyet e pavlefshmërisë së fletëvotimeve.

Sipas tij nga studimi i rasteve të fletëvotimeve të pavlefshme, 518 në total në 30 vendvotimet e rinumëruara është gjetur se kanë pasur të bëjnë me gabime në votim.

Në 205 raste janë shënjuar më shumë se një subjekt politik, kurse në 250 raste është gjetur se votuesi ka harruar të shënjojë subjektin politik, duke shënjuar vetëm kandidatët. Po ashtu, janë shënuar edhe numër i rasteve kur fletëvotimi është bërë i pavlefshëm qëllimisht në 62 raste.