KQZ shqyrton sot kushtin e PS-së për mandatet

KQZ shqyrton sot kushtin e PS-së për mandatet

KQZ shqyrton sot kushtin e PS-së për mandatetPas auditimit në hartimin e listave të zgjedhësve, Partia Socialiste është e gatshme të votojë vetëm skemën e re të mandateve që parashikohet në përllogaritjen e mandateve sipas Kodit të ri Zgjedhor.

Për këtë, PS-ja do të depozitojë sot në KQZ kushtin e saj për shpërndarjen e mandateve të deputetëve në 12 qarqet e vendit, ku parashikohet t’i hiqet një mandat Beratit e Korçës, për t’ia kaluar Durrësit e Tiranës.

Do të jenë tre anëtarët e majtë të KQZ-së, të cilët do të thërrasin paraditen e sotme, më 28 janar një mbledhje të posaçme të KQZ-së për t’i ndarë vetë mandatet, veçmas Kuvendit.  Në mbledhjen e së shtunës të Asamblesë Kombëtare të PS-së, në raportimin e tij para anëtarëve të kësaj asambleje, Sekretari për Çështjet Zgjedhore, Damian Gjiknuri mësohet të jetë shprehur se “PS-ja nuk do ta njohë ndarjen e miratuar në Komisionin e Ligjeve sipas shpërndarjes së 2009-ës, pasi ajo është në kundërshtim me ligjin. Ndarja e mandateve duhet të bëhet vetëm sipas informacioneve të vitit 2012, dhe jo e kundërta”.

Ndërkohë ndër problematikat e hasura nga PS-ja në lidhje me listat e zgjedhësve në të gjithë vendin, mësohet se, sipas PS-së, rezultojnë të jenë deri më tani rreth 21 mijë dublime në listat e zgjedhësve vetëm në Tiranë, kjo për shkak të lëvizjeve nga rrethet drejt Tiranës ose e kundërta.

Po kështu, një shifër jo e vogël e raportuar në asamblenë e së shtunës të PS-së, edhe për qytetin e Gjirokastrës është 540 votues të vdekur, që rezultojnë si votues në zgjedhjet e 2013-ës. Ndërkohë, shpërndarja e mandatave është parashikuar të votohet në seancën plenare të së enjtes, e cila kërkon shumicë të thjeshtë votash.

Sot strategjia e trajnimit për anëtarët e komisioneve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të shqyrtojë dhe të miratojë në mbledhjen e sotme  strategjinë e trajnimit të komisionerëve të zonave të administrimit zgjedhor dhe të qendrave të votimit, si dhe në vendet e numërimit të votave. Në projektvendimin e saj, KQZ-ja shprehet se me këtë strategji trajnimi synohet një kualifikim më i mirë i anëtarëve të komisioneve zgjedhore të nivelit të dytë dhe të tretë në zgjedhjet e qershorit 2013.

Strategjia e trajnimit të këtyre komisionerëve është një plan pune i detajuar për të gjithë fazat e procesit të trajnimeve dhe, që parashikon kualifikimin e komisionarëve, me qëllim mbarëvajtjen dhe miradministrimin e procesit, në funksion të realizimit të zgjedhjeve sipas standardeve. Projektvendimi i sotëm parashikon një procedurë transparente në përzgjedhjen dhe rekrutimin e trajnuesve, të cilët duhet të përmbushin disa kritere vlerësimi. “Trajnuesit e zgjedhur për zhvillimin e proceseve trajnuese të komisioneve zgjedhore,  jo vetëm do të zbatojnë me rigorozitet dhe profesionalizëm afatet kohore, procedurat, dhe  kriteret e trajnimit të përcaktuara në aktet nënligjore të KQZ-së.

Por, edhe do të identifikojnë dhe  kontribuojnë në shmangien e problematikës së hasur gjatë procesit të trajnimit; do të identifikojnë dhe analizojnë probleme teknike të veçanta të cilat mund të përbëjnë bazën për një bashkëpunim të suksesshëm; si dhe do të analizojnë problematikën në fushën e trajnimit si dhe të shkëmbejnë në mënyrë të vazhdueshme njohuri dhe praktika të reja”- thuhet në projektvendimin e KQZ-së. Gjithashtu, në mbledhjen e sotme parashikohet dhe shqyrtimi i projektvendimit “Për miratimin e dokumentacionit të punës dhe modeleve të vendimeve të KZAZ-ve, për zgjedhjet e Kuvendit”- njofton zyra e shtypit pranë KQZ-së.